Ibrahima Konaté vazhdon të jetë një nga emrat që Real Madridi po ndjek për sezonin e ardhshëm, ndërsa klubi madrilen pritet të afrojë një mbrojtës qendror të ri gjatë verës.
Edhe pse në një moment dukej se pista për francezin ishte ftohur, situata është rikthyer sërish në vëmendje. Arsyeja kryesore është fakti se Konaté ende nuk ka rinovuar kontratën me Liverpoolin, ndërsa kjo po mban të hapur mundësinë e një largimi si lojtar i lirë.
Në “Bernabéu” llogaritë për qendrën e mbrojtjes po ndryshojnë. Alaba pritet të largohet këtë verë, ndërsa Militao, Huijsen dhe Asensio konsiderohen si pjesë e projektit për sezonin e ardhshëm. Rüdiger mbetet një tjetër emër i rëndësishëm, por klubi dëshiron të ketë më shumë alternativa në repartin defensiv.
Për këtë arsye, Real Madridi po vlerëson disa profile, por aktualisht dy emra dalin më shumë në pah: Schlotterbeck dhe Konaté. Megjithatë, pista për Schlotterbeckun është komplikuar, pasi Dortmundi po përpiqet ta bindë me një ofertë shumë të lartë për rinovim.
Në këtë situatë, Konaté vazhdon të mbetet një mundësi reale. Mbrojtësi francez është një nga lojtarët më të rëndësishëm të Liverpoolit dhe ka pasur shumë minuta këtë sezon, çka tregon peshën e tij në skuadër. Pikërisht për këtë arsye, klubi anglez dëshiron ta mbajë, por deri tani lojtari nuk ka firmosur kontratën e re.
Kjo ka bërë që zërat për një kalim të mundshëm te Real Madridi të rriten sërish. Edhe pse nuk është objektivi i vetëm i klubit spanjoll, Konaté mbetet një alternativë serioze për verën, sidomos nëse transferimi i tij mund të realizohet pa kosto.











