Komisionerja për Zgjerimin Marta Kos ka mbërritur pasditen e sotme në vendin tonë.
Burime bëjnë me dije se Marta Kos zhvilloi një takim me kryeministrin, Edi Rama, i cili zgjati rreth një orë. Më pas Marta Kos u takua me kryetarin e Kuvendit Niko Peleshi.
Vizita e Marta Kos në vendin tonë vjen në kuadër të Samitit të rëndësishëm të Bashkimit Evropian për Planin e Rritjes së Ballkanit Perëndimor, i cili do të mbahet nesër në Tiranë.
Teksa Shqipëria do të mirëpresë nesër samitin, situata politike në vendin tonë është mjaft e tensionuar, pasi, GJKKO caktoi sot dy masa ndaj zv.kryeministres Belinda Balluku; pezullimin nga detyra dhe bllokim të pasaportës.
Lidhur me akuzat ndaj Ballukut, Marta Kos u shpreh dy ditë më parë se rasti i Ballukut, ashtu si më herët ai i ish-zv.kryeministrit Arben Ahmetaj, i cili ndodhet në arrati, tregon se institucionet e drejtësisë në Shqipëri po funksionojnë. Megjithatë, ajo pranoi se nuk ndihet aspak e kënaqur që vendet kandidate të BE-së përballen me raste të tilla të korrupsionit të nivelit të lartë.
“Për mua ky është një hap përpara, sepse këto raste janë zbuluar. Nuk jam e lumtur të dëgjoj për këto raste. E njëjta gjë vlen edhe për Ukrainën, por kjo tregon se institucionet antikorrupsion po punojnë,” u shpreh Kos.
Ajo theksoi se problematika të ngjashme ekzistojnë edhe brenda Bashkimit Europian, ndaj kriteri kryesor mbetet funksionimi i institucioneve dhe pavarësia e drejtësisë.
“Është e rëndësishme të kemi institucione. Edhe vendet kandidate i kanë këto institucione për t’i luftuar këto raste. Më pas do jetë drejtësia që do zbulojë nëse ligji është shkelur, dhe nëse po, çfarë do të ndodhë më pas,” deklaroi Komisionerja.









