Jürgen Klopp është një nga kandidatët kryesorë për të marrë drejtimin e kombëtares së Gjermanisë, në rast se Julian Nagelsmann vendos të largohet pas Kupës së ardhshme të Botës.
Sipas raportimeve të Bild, Federata Gjermane e Futbollit (DFB) ka nisur tashmë të mendojë për një alternativë, përballë pasigurisë që ekziston mbi të ardhmen e Nagelsmann në krye të përfaqësueses. Emri i parë në listën e pasardhësve të mundshëm thuhet se është ai i Jürgen Klopp.
Trajneri gjerman, i cili aktualisht po shijon një periudhë pushimi pas largimit nga futbolli i klubeve, prej kohësh konsiderohet si një nga ëndrrat e mëdha të Federatës Gjermane për stolin e kombëtares.
Gjatë karrierës së tij, Klopp ka drejtuar vetëm klube. Ai është bërë i njohur fillimisht me Mainz, më pas ka ndërtuar një epokë të suksesshme te Borussia Dortmund, ndërsa në Angli ka lënë gjurmë të mëdha me Liverpool, duke u kthyer në një nga trajnerët më të vlerësuar të futbollit modern.
Nëse Nagelsmann vendos të largohet pas Botërorit, emërimi i Klopp do të përbënte një lëvizje shumë të madhe për Gjermaninë, duke pasur parasysh eksperiencën, personalitetin dhe peshën e tij në futbollin europian.











