I akuzuari për vrasjen e Liridona Ademajt, Granit Plava, ka ndryshuar deklaratën e tij gjatë seancës në Gjykatën Themelore në Prishtinë, duke pretenduar se krimi është kryer në marrëveshje me bashkëshortin e viktimës, Naim Murseli.
Në seancën e mbajtur më 26 mars, Plava u tërhoq nga deklarata e mëparshme e dhënë në Polici, duke theksuar se versioni aktual është i vërteti. Ai deklaroi se dëshminë e mëhershme e kishte dhënë në përputhje me një marrëveshje të pretenduar me Murselin.
Sipas Plavës, ai kishte qenë në dijeni për planin dhe kishte pranuar të merrte përgjegjësinë për veprën, ndërsa pretendon se Murseli i kishte premtuar përfitime materiale dhe ndikim për ta ndihmuar pas arrestimit.
Në dëshminë e tij, Plava tha se Murseli i kishte ofruar një pagë mujore prej 1300 eurosh, një veturë luksoze dhe i kishte kërkuar që të merrte përgjegjësinë për krimin pa pasur nevojë të dinte detaje për viktimën.
Ai gjithashtu deklaroi se ishte takuar disa herë me Murselin, përfshirë edhe ditën e vrasjes, ndërsa vetëm të nesërmen kishte kuptuar se viktima ishte bashkëshortja e tij, Liridona Ademaj.
Plava shtoi se i vjen keq për ngjarjen, duke pretenduar se gjatë gjithë kohës i ishte thënë se viktima ishte një person tjetër.
Në këtë rast, përveç Plavës dhe Murselit, i akuzuar është edhe Kushtrim Kokalla, i cili sipas aktakuzës ka luajtur rol në ndërmjetësimin mes palëve.
Ai shtoi se për këtë rast ishte në dijeni edhe Behgjet Pacolli, ish-president i Kosovës dhe ish-udhëheqës i Aleancës Kosova e Re.
Radio Evropa e Lirë ka kërkuar një koment nga Pacolli për këtë deklaratë të Plavës dhe është në pritje të përgjigjes.
Pas vrasjes së Liridona Ademajt, Pacolli kishte shkruar në rrjetet sociale se Murseli ishte bashkëpunëtor i tij prej disa vitesh dhe se ai nuk ishte në dijeni “për ndonjë precedent konflikti për Naimin”.
Më herët gjatë ditës, në Gjykatë ka dëshmuar edhe Naim Murseli, i cili ka mohuar përfshirjen në planifikimin e vrasjes. Ai ka deklaruar se natën e ngjarjes kishte qenë viktimë e një grabitjeje, ndërsa ka pranuar se armën e krimit e kishte blerë nga Plava, me pretendimin se do ta shiste më pas.
Detajet e rastit
Liridona Ademaj u vra më 29 nëntor 2023, në moshën 30-vjeçare, në një rrugë në fshatin Bërnicë të Prishtinës.
Sipas aktakuzës, Naim Murseli dyshohet se ka planifikuar vrasjen për motive hakmarrjeje dhe përfitimi financiar nga një sigurim jetësor në vlerë rreth 260 mijë euro.
Prokuroria pretendon se vrasja është organizuar në bashkëpunim me Kushtrim Kokallën dhe Granit Plavën, të cilëve u ishte premtuar një shumë prej 30 mijë eurosh për realizimin e krimit. Sipas këtyre pretendimeve, Kokalla kishte ndërmjetësuar kontaktin mes Murselit dhe Plavës, ndërsa ky i fundit dyshohet se ka kryer vrasjen.
Ngjarja ka shkaktuar reagime të forta publike, sidomos pas pjesëmarrjes së Murselit në ceremoninë e varrimit të viktimës.











