Kryetari i Partisë Socialiste, njëherësh kryeministri Edi Rama, ditën e sotme ka mbledhur grupin parlamentar në Kryesinë e Kuvendit.
Gjatë mbledhjes u prezantua raporti i 5 anëtarëve të PS-së (Niko Peleshi, Ulsi Manja, Bledi Çomo, Bledi Çuçi dhe Taulant Balla) në Këshillin e Mandateve, lidhur me kërkesën e Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) për dhënien e autorizimit për arrestimin e ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku.
Ishte Ulsi Manja ai që prezantoi shkurtimisht raportin.
Manja: Sot që po diskutojmë këtë raport, jemi përpara një realiteti të ri. Deputetja Belinda Balluku nuk ushtron më funksione ekzekutive si pasojë e ndryshimeve në përbërjen e qeverisë. SPAK ka ndërtuar kërkesën për aplikimin e masave më të rënda, duke argumentuar rrezikun e prishjes së provave, të arratisjes apo kryerjes së veprave të tjera penale. Megjithatë, këto mbeten hipotetike për sa kohë lidhen me ushtrimin e funksioneve ekzekutive, të cilat deputetja në fjalë nuk i ushtron më.
Është e domosdoshme që ne, si shumicë parlamentare, të flasim qartë, të ndajmë politikën nga drejtësia, zhurmën nga faktet dhe gjykimin politik nga procesi i rregullt ligjor.
Kërkesa e SPAK, në fakt, në rastin e deputetes Belinda Balluku ndryshon nga kërkesat e tjera që kanë ardhur në Kuvend, sepse nuk është një kërkesë për caktimin e një mase sigurimi për herë të parë. Kuvendit, në këtë rast, i kërkohet të zëvendësojë një masë sigurimi personal, efektet e së cilës janë ende në fuqi, me një masë sigurimi më të rëndë, atë të arrestit, për një vepër penale që SPAK po e heton që në gusht të vitit 2024. Pra, jemi në kushtet kur kërkohet zëvendësimi i kësaj mase.
Deputetja Belinda Balluku e ka respektuar masën e sigurimit personal, atë të ndalimit të daljes jashtë shtetit. Kuvendi nuk ka kompetencë të gjykojë fajësinë dhe as të zëvendësojë Gjykatën.
Deputeti nuk mund të arrestohet pa autorizimin e Kuvendit. Prokuroria, sa herë që e kërkon autorizimin, duhet të paraqesë në Kuvend një relacion dhe prova që e mbështesin kërkesën.
Duke iu referuar këtij kuadri, kompetenca e Kuvendit në shqyrtimin e kërkesës së SPAK është e natyrës proceduriale kushtetuese dhe jo gjyqësore. Kuvendi nuk gjykon fajësinë.
Kompetenca e Kuvendit kufizohet në vlerësimin e kontrollit të procedurës penale, sa i takon ekzistencës së kushteve ligjore për të dhënë autorizimin për zëvendësimin e masës së sigurimit personal.











