Disa vende anëtare të NATO-s kanë njoftuar se do të dërgojnë forca ushtarake në Groenlandë për të marrë pjesë në stërvitje të përbashkëta me Danimarkën, në një kohë kur presidenti amerikan Donald Trump ka shtuar deklaratat kërcënuese për aneksimin me forcë të ishullit strategjik në Arktik.
Gjermania, Suedia, Franca dhe Norvegjia kanë konfirmuar dërgimin e personelit ushtarak në Greonlandë, ndërsa Kanadaja dhe Franca kanë paralajmëruar gjithashtu hapjen e konsullatave në Nuuk, kryeqytetin e territorit autonom danez, në javët e ardhshme.
Kryeministri suedez Ulf Kristersson bëri të ditur përmes rrjetit social X se oficerë suedezë, së bashku me trupa nga vende të tjera aleate, do të përgatiten për stërvitjen e përbashkët të quajtur “Operacioni Arktik i Qëndrueshmërisë”.
Nga ana e tij, presidenti francez Emmanuel Macron njoftoi se njësitë e para ushtarake franceze janë nisur tashmë drejt Groenlandës, ndërsa të tjera do t’u bashkohen në vijim.
Ministria Gjermane e Mbrojtjes deklaroi se po dërgon një ekip zbulimi prej 13 ushtarakësh për një mision eksplorues, me ftesë të Danimarkës dhe në bashkëpunim me vende të tjera partnere. Edhe Norvegjia ka konfirmuar dërgimin e dy përfaqësuesve të saj ushtarakë në Groenlandë.
Sipas CNN, stërvitjet e përbashkëta mes vendeve të NATO-s në Arktik nuk janë të pazakonta dhe prej vitesh aleatët, përfshirë Shtetet e Bashkuara, kanë kërkuar rritjen e pranisë ushtarake dhe të ushtrimeve në këtë rajon strategjik. Aktualisht, SHBA kanë rreth 150 trupa të stacionuara në bazën ajrore Pituffik, në veriperëndim të Groenlandës.
Takimi në Uashington
Lajmi për misionin evropian në Grpenlandë u bë publik të mërkurën, në të njëjtën ditë kur zyrtarë nga Danimarka dhe Grpenlanda u takuan në Uashington me Sekretarin amerikan të Shtetit, Marco Rubio, dhe Zëvendëspresidentin J.D. Vance. Takimi u zhvillua vetëm disa orë pasi Trump deklaroi në rrjetin e tij Truth Social se “SHBA do të marrë Groenlandën”.
“NATO do të ishte shumë më e fortë dhe më efektive me Groenlandën në duart e Shteteve të Bashkuara”, shkroi Trump, duke argumentuar se një kontroll amerikan mbi ishullin do të ishte në dobi të gjithë aleancës.
Takimi nuk solli rezultate konkrete, por ministri i Jashtëm danez, Lars Løkke Rasmussen, tha se bisedimet me Rubion dhe Vance ishin “të sinqerta dhe konstruktive”, megjithëse palët kanë “mosmarrëveshje themelore”.











