Nga Drini Çajupi
Gjethja
Një fat caktoi për një gjethje të njohmë vetëm 14 javëshe të këputet nga trungu që e mban në jetë. Sa kishte marrë nga dielli rinor lëngun burimor të gjelbërohej, kur ja, vjeshta e korri si një zverdhinë.
Kishte në plan të vallëzonte me flladin, të qeshte me diellin, por më e bukura lojë kur pikat e shiut t’i vërtiste sërish drejt qiellit përpara se ato të puthnin tokën, por gjithçka u gris në mes, kur fleta ra në tokë si një belbëzimë.
Vjeshtimi flak, sipari pret në mes skenën e madhe, e fsheh arenën ftohtësisht, sakaq shpall kapitullimin e natyrshëm me një mbarësë: shihemi stinën tjetër.
Në vend të gjethes së shkundur, përshpirtshmërisht zbardh një buqetë me lule.
Shoqëria
Turra që popullon këtë faqe të lëmshit blu përballë diellit, nuk bën më shumë se një pulitje sysh për një jetë të ndërprerë padrejtësisht, për një 14-vjeçar që i shkulet drurit mëmë.
Çuditesh me vetëdijen tonë të dimëruar. Ndodh e pandodhura, aty për aty trazojmë aspak më shumë se një uragan në pus. Çfarë duhet të bëjmë më shumë se t’i gjejmë fillin rrugës që të çon te pikënisja thelbësore e të pandodhurës?
I jemi dorëzuar lëshimit gravitacional të vlerave e virtyteve, mirësjelljen e kemi zbuar, ndërsa egoja e shëndoshë zë minderin e vëmendjes tonë.
Kemi kohë që të ardhmen e kemi ngecur në trenin e fatit. E kobi, pas një intervali bujar, zbulon një rrugicë, ndalet në një derë dhe mësyn në një vatër, ose dy a më shumë njëherazi.
Por kemi puls. Kësaj here nuk po ngulim qepallat menjëherë në ind-qeskat e syve, përderisa ikja e një jete të njohmë po zgjon instinktin e jetës; ky i fundit me sa duket po sfidon letargjinë shoqërore.
Pulsojmë, pasha Zotin!
Si mund t’ia dalim kur vetëm shkarkojmë me faj këdo? Thepin e kemi në shumë tyta: paria, policia, sistemi, opozita, ligjet, reforma, arsimi, mediat, zakonet. Ndërsa këto gjymtyrë që përplotësojnë shoqërinë gëzojnë pjesën e vet të fajeve, le të jemi të drejtë me veten tonë.
Ne jemi faji.
Fajin gjejeni te shoqëria kur nuk edukon, thotë Hygo, prandaj ajo të përgjigjet për errësirën që mbart. Nëse një shpirt lihet në mugëtirë, mëkati mbizotëron. Mos fajësoni mëkatarin, por shkaktarin e errësirës.
Prindërit pa fëmijën e shtrenjtë
Një jetëz u fik, se një tjetër jetëz me padurim ndezi një zjarr; çfarë pavëmendje mpirëse që kemi.
Por zjarri djeg pëqirin ku bie, thotë një shprehje e lashtë duke vërtetuar një pohim mizor. Jo një, po dy a më shumë konake.
Fjala perëndon, kur prindërve u shuhet drita e syve. Zoti iu dhëntë forcë! Do forcë të ngrihesh mbi dhimbjen dhe të refuzosh të përjetësosh mungesën. Por e ardhmja shpresojmë të jetë bujare me ta. Kjo plagë dallon, se recetën nuk e ka as farmacisti, as doktori, as kirurgu, as alkimisti, por vetëm bujtësi i plagës. Jo pak thonë se durimi, pranimi dhe falja janë përbërës të domosdoshëm të pomadës fisnike.
Nuk i njoh prindërit e 14-të vjeçarit, por, kur fuqia e rimëkëmbjes të lulëzojë, aroma e shpresës do të përhapë si fillim në gjokset e tyre lajmin e stinës së pranverës.
Media
Kallaballëku që popullon pëllëmbën e dorës, më picërron sytë me një ritëm këmbëngulës, për të më tërhequr në kuvendin në distancë, por afër sa një pulitje sysh. Kundërshtoj ta furnizoj me rrymën e vëmendjes time. Kokëfortësia vazhdon: hidhmi sytë, dhe të premtoj çudira.
– Skandal! Autori krenohet me aktin. E ke në pëllëmbë të dorës me vetëfilmim. Policia e pyet: a je i penduar? Autori nuk përgjigjet.
O mbarësë frymore! Logjikën pse e mpive kur shpalos në pëllëmbët e duarve tona ato rreshta vetëm për të t’i hedhur sytë?
A nuk e dëgjon piskamën e kësaj fëmije që kërkon ndihmë në gjuhën e vet? I paditur në veprim, a nuk është kjo vetëm një thirrje me shpresë se dikush e kupton më mirë se ai veten e tij? Ku i keni veshët e fjalës së pathënë o të shurdhuar të korteksit kafkor?
Me gjasë ai fëmijë nuk e ka mësuar ende përkufizimin e pendesës, e në naivitet hesht, por nesër mund të jetë një monument pendese.
Nëna e tij
Përveç nënës, a ia dëgjon njeri furtunën e brishtë përbrenda?
Eh, te kjo nënë zjarri pjek eshtrën deri në brumin e jetës. Mos braktis! Jo, kurrë! Një nënë nuk ka nevojë ta dëgjojë këtë.
Një krye-detyre shtypëse ke mbi supe, ndoshta të merituar, por ç’rëndësi ka. T’i dalësh ballë domosdo një vërshimi dënues, e t’i bëhesh digë, por pa drejtim, pasi ai vjen nga do të kërcënojë mishin tënd: paria, policia, sistemi, opozita, ligji, reformat, (mungesa e) arsimit, mediat, zakonet.
Ti duhet të ujisësh me lotët e dhembshurisë krijesën, atëherë kur asnjë nuk do të dijë nëse ka jetë. Shpirti i djaloshit në cak të adoleshencës mos ta ndjejë kur ti kapërcen pragun e vetmisë së tij. Sakaq të hedhësh sytë nga zjarri tjetër ku fati iu molepsi e të pëshpëritësh ngushëllime pa fund në atë krah, këndej të përjetosh sërish dhimbjet e lindjes, tek rilind fëmijën tënd, me tërë butësinë e një nëne. Nuk do të jesh e vetme, përsa shpirtra të ndjeshëm do të ngushëllojnë ty për hir të jetës.
Kështu, ti do të ngrihesh e fortë mbi këto pengesa. E kur kjo të ndodhë, tregoji botës për të mijtën herë se e pamundura për nënat është paradoks.