Sekretariati i Etikës do të zhvillojë një mbledhje sot në orën 10:00 për të shqyrtuar kërkesën e Partisë Socialiste (PS) për përjashtimin e 29 deputetëve të opozitës.
Kjo kërkesë vjen pas ngjarjeve të dhunshme që ndodhën gjatë seancës plenare të Kuvendit, të cilat mazhoranca pretendon se ishin pjesë e një skenari kaotik të organizuar nga Partia Demokratike, e udhëhequr nga figura si Sali Berisha, Flamur Noka dhe Gazment Bardhi.
Mbledhja e fundit u shty pasi deputetët e përfshirë kërkuan më shumë kohë për të shqyrtuar provat e paraqitura. Në këtë kuadër, PS ka kërkuar nga Prokuroria të verifikojë mundësinë e nisjes së një hetimi penal ndaj deputetëve Flamur Noka dhe Klevis Balliu, pas një përplasje fizike me anëtarët e Gardës.
PS propozon përjashtim me një afat prej 60 ditësh nga punimet e Kuvendit për Noken dhe Balliun, si dhe për organizatorët e supozuar të dhunës, Sali Berishën dhe Gazment Bardhin.
Përveç këtyre, kërkohet gjithashtu përjashtimi i disa deputetëve të tjerë si Belind Këlliçi, Fidel Kreka, Albana Vokshi, Ledina Alolli dhe Denisa Vata, të cilët dyshohet se kanë përdorur mjete tymuese në sallën e Kuvendit.
Vendimi i Sekretariatit të Etikës pritet të përcaktojë masat disiplinore për të gjithë deputetët e përfshirë në ngjarjet e fundit.










