Në një deklaratë nga Brazili, ku ndodhet i grumbulluar me kombëtaren e vendit të tij, sulmuesi i krahut i Barcelonës, Rafinja, ka lëshuar një deklaratë që ka shkaktuar pështjellim në Barcelonë. Ai tha se pas “Copa América” të vitit të kaluar, ai mendoi të largohej nga Barcelona, por ishte një bisedë me trajnerin e ri të katalanasve Hansi Flik, që e bindi të vazhdonte te Barça.
Koha duket se i ka dhënë të drejtë si Flikut, ashtu dhe Rafinjës, me brazilianin që është kthyer në një nga lojtarët kyç në formacionin e Barcelonës dhe golashënuesi i dytë më i mirë në ekip pas Levandovskit. Duke folur për “Globo Esporte”, Rafinja deklaroi:
“Nuk e dija ku do të shkoja, por vetë po mendoja të largohesha nga Barcelona sepse nuk ndihesha mirë personalisht”. Braziliani komentoi se “gjërat nuk po funksiononin” dhe se ai po dilte nga një sezon në të cilin kishte qenë nën nivelin e tij të zakonshëm. “Duke parë njerëz që më kërkonin të largohesha, duke thënë se nuk isha mjaftueshëm i mirë për klubin… çfarë mund të bëja tjetër?!
Çdo ditë kishte një thashetheme të ndryshme për largimin tim. Fillova ta konsideroja atë. Por, pas ‘Copa América’, Hansi Flik më thirri dhe më kërkoi të raportoja në stërvitje përpara se të merrja ndonjë vendim, sepse ai po llogariste në mua”, shpjegoi ai. Rafinja beson se biseda ishte kyç në vendimin e tij për të qëndruar.
“Pas bisedës me trajnerin Flik, unë fola me gruan time dhe i thashë se nëse ai (Flik) ishte i drejtë dhe vlerësonte lojtarët në bazë të përpjekjeve të tyre në stërvitje, brenda një jave ai do të ishte i bindur për cilësinë time dhe nuk do të pendohej për këtë. Mendoj se funksionoi”, insistoi ai. I pyetur nëse e sheh veten si një fitues të ardhshëm të “Topit të Artë”, Rafinja pohoi se nuk është i fokusuar te ky trofe individual. “Qëllimi im është të shënoj gola, të jap asistime dhe të fitoj tituj me Barcelonën dhe kombëtaren. Nëse skuadra po ecën mirë, performanca individuale shfaqet natyrshëm”.