Kancelari gjerman Friedrich Merz deklaroi se nuk dëshiron që fushata amerikano-izraelite të “përçajë” NATO apo të ushtrojë presion të mëtejshëm mbi marrëdhëniet mes Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe aleatëve të saj në Evropë, duke lënë të kuptohet se Gjermania mund të luajë një rol në garantimin e sigurisë në Ngushticën e Hormuzit.
Duke iu përgjigjur kritikave të fundit të Donald Trump ndaj Aleancës, Merz theksoi: “Nuk duam, nuk dua përçarje në NATO”, duke paralajmëruar se lufta nuk duhet të rëndojë më tej marrëdhëniet mes SHBA-së dhe aleatëve evropianë në kuadër të NATO-s.
“NATO është garantues i sigurisë sonë, përfshirë dhe mbi të gjitha sigurinë në Evropë”, nënvizoi ai.
Ndërkohë, ai minimizoi rrezikun e një tërheqjeje apo reduktimi të pranisë së trupave amerikane në Gjermani, pas raportimeve se Trump po shqyrton një mundësi të tillë.
Kancelari gjerman Friedrich Merz pranoi se lufta me Irani ka qenë një “test qëndrueshmërie” për NATO-n dhe deklaroi se nuk dëshiron që marrëdhëniet transatlantike të rëndohen më tej.
Merz bëri të ditur se kishte diskutuar për të ardhmen e Aleancës me Donald Trump gjatë një bisede telefonike të mërkurën dhe kishte propozuar vazhdimin e diskutimit përpara samitit të NATO-s në Ankara në muajin korrik.
“Është synimi im i palëkundur të bëj gjithçka për të ruajtur mbrojtjen që ofron NATO, përfshirë SHBA-në, për Evropën”, u shpreh ai, duke shtuar se “kjo aleancë, të paktën për momentin, nuk mund të zëvendësohet nga asgjë tjetër, ndaj kam interes të madh ta ruaj dhe ta zhvilloj më tej së bashku me presidentin amerikan”.
Paralelisht, kancelari gjerman vuri në dukje se “intensiteti me të cilin Izraeli po zhvillon luftën atje mund të çojë në dështimin e procesit të paqes në tërësi, dhe kjo nuk duhet të ndodhë”.
Sipas tij, ai dhe liderë të tjerë i kërkuan Izraelit të mërkurën “të ndalojë përshkallëzimin e mëtejshëm të sulmeve”, ndërsa ministri i Jashtëm i Gjermanisë zhvilloi dy biseda me homologun izraelit.
Një ditë më parë, kancelari deklaroi se qeveria gjermane do të rifillojë kontaktet me Irani, në koordinim me SHBA-në dhe partnerët evropianë, me synim të kontribuojë në suksesin e negociatave për paqe.











