Sot, gazetarët kanë protestuar për situatën e krijuar në televizionin News24, pas ndërprerjes së transmetimit, e cila erdhi si pasojë e një përplasjeje mes pronarit të medias dhe shtetit lidhur me kontratat e qirave.
Sipas News24, një nga objektet e përdorura nga televizioni ka kontratë qiraje deri në vitin 2033, por edhe ai është bllokuar. Nga ana tjetër, Ministria e Ekonomisë ka deklaruar se shoqëria nuk ka shlyer qiranë dhe kamatëvonesat, të cilat arrijnë në mbi 2 milionë euro, ndaj kontrata është ndërprerë.
Në reagimin zyrtar, MEKI sqaron se për pasurinë me nr. kadastral 10/304, me sipërfaqe 13,922 m², qiramarrësi nuk ka kryer pagesa që prej shkurtit 2017. Deri në shtator 2021, detyrimet arrinin në 88,305,280 lekë për qira dhe 2,562,310 lekë për kamatëvonesa, ndërsa sot shuma e papaguar llogaritet mbi 2 milionë euro.
Ministria thekson se që në vitin 2021 ka njoftuar ndërprerjen e kontratës, por subjekti në vend të dorëzimit të pronës ka hapur padi dhe ka marrë masa sigurie, duke vazhduar të përdorë pa pagesë një pasuri publike.
Në sqarimin e saj, MEKI thekson se e drejta e medias dhe e shprehjes nuk mund të përdoret si arsye për të shmangur detyrimet ligjore. Të gjitha subjektet, përfshirë edhe mediat, duhet të trajtohen njësoj, duke paguar qiratë dhe taksat në kohë. Ministria deklaron se do të vazhdojë procedurat ligjore për rikthimin e pronës dhe arkëtimin e plotë të detyrimeve në interes të qytetarëve dhe taksapaguesve.
Reagimi i plotë i MEKI:
Në vijim të deklaratës publike mbi pasuritë shtetërore pranë ish-Uzinës së Pjesëve të Këmbimit të Automjeteve, si dhe interesit të shtuar për informacion rreth dallimit mes pronave të Shoqërisë Kayo sh.a. dhe pronës 10/304 të pretenduar nga Shoqëria Panaroma Group sh.a., Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit (MEKI) bën këtë sqarim vijues:
1. Pasuria me nr. kadastral 10/304 (në administrim të Ndërmarrjes Industriale Nr. 1) është çështje e veçantë, e ndryshme dhe pa asnjë lidhje juridike apo faktike me pasuritë e kaluara shoqërisë Kayo sh.a. me VKM nr. 158, datë 12.3.2025.
2. Për pasurinë 10/304, me sipërfaqe 13,922 m2, subjekti qiramarrës ka mosshlyerje të detyrimeve prej muajit shkurt 2017. Sipas akteve financiare të dosjes administrative, detyrimi i pashlyer i faturuar deri në shtator 2021 arrin në shumën 88,305,280 lekë (qira) dhe 2,562,310 lekë (kamatëvonesa). Meqenëse pagesat nuk kanë vijuar pas kësaj date, detyrimet vijojnë të rriten dhe aktualisht përllogariten mbi 2 milionë euro; shuma përfundimtare do të formalizohet pas rifreskimit të llogaritjeve.
3. Që në vitin 2021, palës i është njoftuar zyrtarisht ndërprerja e kontratës për shkak të këtyre detyrimeve të papaguara. Megjithatë, në vend që të përmbushte detyrimet dhe të dorëzonte pasurinë, subjekti ka ndërmarrë masa sigurimi dhe padi me qëllim pengimin e ekzekutimit të detyrimeve të kontratës, duke vijuar të përdorë prej vitesh pa kundërshpërblim një pasuri publike. Kjo sjellje është e padrejtë dhe e paligjshme, duke cënuar parimin e trajtimit të barabartë dhe duke ngarkuar barrë të padrejtë mbi taksapaguesit, poashtu edhe mbi punonjësit që përgjigjen para ligjit për ndjekjen, monitorimin dhe respektimin e kontratave.
MEKI vepron me kujdes institucional dhe respekt të plotë për lirinë e medias dhe të shprehjes. Por këto të drejta nuk mund të përdoren si justifikim ose si mekanizëm për të gëzuar padrejtësisht pronën publike dhe për të shmangur shlyerjen e detyrimeve kontraktuale. Trajtimi i barabartë i të gjitha subjekteve ekonomike, qofshin këto edhe media, është parim themelor: është e padrejtë ndaj çdo aktiviteti të njëjtë që paguan taksa dhe qira në kohë, që disa të tjera të përfitojnë nga kontrata publike të dhëna në mirëbesim pa shlyer dhe pa respektuar detyrimet.
MEKI do të vijojë verifikimet proceduriale dhe do të ndërmarrë masat administrative dhe ligjore sipas kuadrit në fuqi për zbatimin e obligimeve të detyrueshme të menaxhimit financiar dhe garantimit të administrimit efektiv të pasurisë shtetërore në fjalë dhe arkëtimin e plotë të detyrimeve në interes të qytetarëve dhe taksapaguesve.