Një mbështetje e madhe ka ardhur për Lamine Yamal nga një prej emrave më të njohur të futbollit botëror. Legjenda e Chelseat dhe ikona e futbollit afrikan, Didier Drogba, ka shprehur publikisht përkrahjen e tij për talentin e ri të Barcelonës.
Pas skandalit racist që shpërtheu gjatë ndeshjes miqësore mes Spanjës dhe Egjiptit në Barcelonë, ish-sulmuesi nga Bregu i Fildishtë la një koment shumë domethënës në postimin e 18-vjeçarit në Instagram.
Drogba, i cili gjatë gjithë karrierës së tij ka qenë një zë i fortë kundër diskriminimit, vendosi ta inkurajojë personalisht lojtarin që sot shihet si një nga shpresat më të mëdha të Barcelonës.
“Ji gjithmonë krenar për kulturën tënde dhe për atë që je, Lamine Yamal,” shkroi Drogba.
Ky mesazh mori edhe më shumë peshë duke pasur parasysh prejardhjen e Yamalit, pasi babai i tij është nga Maroku, ndërsa nëna nga Guinea Ekuatoriale. Kujtojmë se gjatë ndeshjes ndaj Egjiptit, nga tribuna u dëgjuan thirrje raciste të drejtuara ndaj myslimanëve.











