Belind Këllici, deputeti i Partisë Demokratike, prezantoi vërejtje shqetësuese gjatë mbledhjes së Komitetit Parlamentar mbi gjendjen e sektorit të ekonomisë në Shqipëri, veçanërisht në energjinë e rinovueshme.
Ai theksoi se situata aktuale është larg standardeve të Bashkimit Evropian, duke e parë keqmenaxhimin e energjisë si një pengesë për të arritur objektivat për vitin 2030.
Këllici shprehu shqetësim mbi nivelin e lartë të korrupsionit në sektorin e energjisë, i cili është shumë themelor për zhvillimin ekonomik të vendit. Ai e theksoi se Shqipëria e siguron energjinë kryesisht nga nafta, energjia hidrike, e importuar dhe përdorimi i druve të zjarrit, me 25% të energjisë që vjen nga djegia e druve.
Këto faktorë bëjnë që vendi të dështojë në integrimin e energjisë së rinovueshme në sistemet e ngrohjes dhe ftohjes, duke ndikuar negativisht në përmbushjen e Direktivës për Vlerësimin dhe Impaktin Mjedisor.
Ai gjithashtu theksoi se Shqipëria ka shfrytëzuar vetëm gjysmën e potencialit të saj hidroenergjetik dhe se ndihma e shtetit ka qenë e pamjaftueshme. Një çështje e rëndësishme është se drejtori i Bursës Shqiptare të Energjisë është nën hetim për akuzat e favorizimit të tregtarëve të energjisë dhe deformimit të tregut.
Këto praktika çojnë në një treg të energjisë elektrike që operon në mënyrë të deformuar, duke çuar në humbje të larta në sektor dhe në investime me efikasitet të ulët krahasuar me vendet e tjera të Ballkanit.
Pavarësisht investimeve prej më shumë se 2 miliard Euro në sektorin energjitik që nga viti 2015, Këlliçi vazhdoi të theksonte se rrjeti i transmetimit dhe shpërndarjes vazhdon të jetë i papërshtatshëm dhe me humbje të mëdha, duke rrezikuar kështu sigurinë e furnizimit të energjisë. Ai përfundoi duke e cilësuar situatën aktuale si alarmante për të ardhmen e energjisë në vend.









