Kriza humanitare në Rripin e Gazës ka arritur nivele alarmante, me një në pesë fëmijë në Qytetin e Gazës që vuajnë nga kequshqyerja, sipas Agjencisë së OKB-së për Refugjatët Palestinezë (UNRWA).
Në një deklaratë të lëshuar të enjten, Komisioneri i Përgjithshëm i UNRWA-s, Philippe Lazzarini, tha se situata është aq e rëndë, saqë një koleg i tij në terren e përshkroi kështu: “Njerëzit në Gaza nuk janë as të vdekur as të gjallë, ata janë kufoma në këmbë.”
Sipas UNRWA-s, më shumë se 100 persona – shumica dërrmuese fëmijë – dyshohet se kanë vdekur nga uria, ndërsa rastet e kequshqyerjes po rriten me ritme të frikshme. Lazzarini bëri thirrje urgjente që Izraeli të lejojë akses të pakufizuar dhe të pandërprerë për ndihmat humanitare.
“Shumica e fëmijëve që ekipet tona po shohin janë të dobët, të pafuqishëm dhe në rrezik të lartë vdekjeje nëse nuk marrin trajtimin që u nevojitet urgjentisht,” tha ai. Ai shtoi gjithashtu se punonjësit e UNRWA-s po bien të fikët nga uria ndërsa janë në detyrë, duke paralajmëruar se i gjithë sistemi humanitar është në prag të kolapsit.
Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) theksoi të mërkurën se një pjesë e madhe e popullsisë së Gazës është në proces “vdekjeje nga uria”. Drejtori i përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, deklaroi: “Nuk di si ta quash ndryshe përveçse uri masive – dhe ajo është e shkaktuar nga njeriu.”