Më 23 dhjetor 2025, u publikua një imazh mbresëlënës nga hapësira që paraqet dy galaksi spiralore në mes të një kolizioni kozmik të ngadaltë. Fotografia kap galaksit NGC 2207 dhe IC 2163 teksa afrohen me njëra-tjetrën, duke hyrë në një ndërveprim të fuqishëm gravitacional.
Imazhi është krijuar duke kombinuar dritën infra të kuqe të teleskopit hapësinor James Webb (JWST) me të dhënat X-ray të mbledhura nga Observatori Chandra i NASA-s, duke ofruar një pamje të detajuar të këtij fenomeni të rrallë kozmik.
Nga perspektiva e Tokës, galaksia më e madhe, NGC 2207, dominon pamjen, ndërsa IC 2163 shfaqet në skajin e saj. Gjatë ndërveprimit, krahët spiralorë shtrihen dhe deformohen, duke krijuar rrjedha yjore dhe re gazi që zgjaten në hapësirë.
Në disa zona, gazi dhe pluhuri janë të kompresuar, duke krijuar kushte të favorshme për lindjen e yjeve të rinj. Shkencëtarët këtë proces e përshkruajnë si një “rrjet kaosi”, ku formimi yjor përshpejtohet nga trazirat gravitacionale.
Të dhënat e JWST shfaqen në nuanca të bardha, gri dhe të kuqe, që tregojnë pluhurin më të ftohtë dhe materialin në bërthamë dhe krahët spiralorë të galaksive. Ndërkohë, të dhënat X-ray të Chandra-s, të paraqitura në blu, theksojnë zonat më energjike të përplasjes.
Ky kolizion kozmik është një nga katër imazhet e reja të bazuara në të dhënat e Chandra-s që u publikuan njëkohësisht. Imazhet e tjera përfshijnë rajonin e formimit yjor NGC 6334, mbetjet e supernovës G272.2-0.3 dhe sistemin yjor R Aquarii.
Sipas NASA-s, studimi i galaksive në proces bashkimi është thelbësor për misionin e JWST. Këto vëzhgime ndihmojnë shkencëtarët të kuptojnë më mirë se si galaksit rriten, evoluojnë dhe bashkohen me kalimin e kohës, duke ofruar njohuri të reja mbi evolucionin e universit.








