Ish-këshilltari special, Jack Smith doli publikisht për herë të parë të enjten, 22 janar, për të mbrojtur vendimin e tij lidhur me ndjekjen penale ndaj Presidentit të SHBA-ve, Donald Trump.
Ai deklaroi para Komisionit Gjyqësor të Dhomës së Përfaqësuesve se Trump “ka shkelur me vetëdije ligjet që ishte betuar t’i mbronte”, raporton The Washington Post.
Seanca e hapur u shndërrua shpejt në një përballje të ashpër politike mes Smith dhe ligjvënësve republikanë, të cilët e akuzojnë atë për veprime të motivuara politikisht. Smith kishte dëshmuar më parë me dyer të mbyllura, por për muaj me radhë kishte kërkuar mundësinë për të paraqitur publikisht arsyetimin e tij.
“Në Shtetet e Bashkuara askush nuk është mbi ligjin”, deklaroi Smith në fjalën hyrëse.
“Ligji kërkonte që ai të mbahej përgjegjës, dhe unë veprova në përputhje me këtë detyrim.”
Smith konfirmoi se do të merrte të njëjtin vendim edhe sot, pavarësisht përkatësisë politike, duke iu referuar dy çështjeve kryesore: trajtimit të dokumenteve të klasifikuara dhe përpjekjeve për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2020.
Asnjëra prej këtyre çështjeve nuk përfundoi në gjyq. Rasti për dokumentet e klasifikuara u rrëzua nga një gjykatë federale në Florida për shkak të mënyrës së emërimit të Smith, ndërsa çështja për ndërhyrjen në zgjedhje u mbyll pas rikthimit të Trump në Shtëpinë e Bardhë, në përputhje me rregullat e Departamentit të Drejtësisë që ndalojnë ndjekjen penale të një presidenti në detyrë.
Që nga rikthimi në pushtet, Trump ka kërkuar publikisht ndëshkimin penal të Smith. Paralelisht, republikanët në Kongres kanë nisur një rishqyrtim të detajuar të punës së tij, me synimin për të vërtetuar pretendime për anshmëri politike.
Kryetari i Komisionit Gjyqësor, Jim Jordan, e akuzoi Smith se hetimet kishin qenë tërësisht politike. Një nga pikat më të kontestuara ishte përdorimi i thirrjeve ligjore për të marrë të dhëna telefonike të disa senatorëve republikanë në kuadër të hetimeve për ngjarjet e 6 janarit 2021.
Smith e mbrojti këtë veprim, duke sqaruar se të dhënat përfshinin vetëm kohëzgjatjen dhe momentin e komunikimeve, jo përmbajtjen e tyre, dhe se ato ishin thelbësore për të ndjekur kontaktet e bëra nga Shtëpia e Bardhë atë ditë.
“Nuk isha unë që i zgjodha këta ligjvënës.I zgjodhi Presidenti Trump”, ka deklaruar ai më herët.
Gjatë dëshmisë, Smith pranoi gjithashtu se ekziston rreziku që ai vetë të përballet me ndjekje penale, por theksoi se qëndron plotësisht pas punës së bërë nga ekipi i tij. Ai vendosi kufizime të qarta në dëshmi, duke theksuar se nuk mund të flasë për materiale të jurisë së madhe apo për pjesë të raportit final që janë ende objekt i betejave ligjore.











