Tensionet në Lindjen e Mesme janë përshkallëzuar ndjeshëm, pasi Izraeli ka ndërmarrë sulme ndaj objektivave strategjike në Iran, ndërsa nga ana tjetër Teherani ka vijuar me sulme në disa vende të rajonit.
Sipas raportimeve të fundit, Izraeli ka goditur një fabrikë iraniane që prodhon materiale për raketa balistike.
Në të njëjtën kohë, shpërthime të forta janë dëgjuar në kryeqytetin iranian, Teheran, duke rritur shqetësimet për një përshkallëzim të mëtejshëm të konfliktit.
Shpërthime në Teheran
Media lokale raportojnë për disa shpërthime në kryeqytetin iranian. Gazeta “Shargh” bën të ditur se të paktën tre shpërthime janë dëgjuar në qytet. Ndërkohë, një gazetar i agjencisë ndërkombëtare AFP ka konfirmuar se shpërthime janë dëgjuar edhe në veri të Teheranit.
Po ashtu, agjencia shtetërore iraniane e lajmeve IRNA raportoi se Aeroporti i Khorramabad është goditur nga sulmet ajrore, duke shtuar shqetësimet për goditje të infrastrukturës kritike.
Paralajmërimi i Izraelit për qytetarët iranianë
Ushtria izraelite u ka bërë thirrje qytetarëve iranianë që të shmangin përdorimin e trenave dhe lëvizjen pranë linjave hekurudhore.
Në një postim në gjuhën persiane në rrjetet sociale, ajo paralajmëroi se “prania në trena dhe pranë linjave hekurudhore vë jetën në rrezik” dhe u kërkoi qytetarëve të mos udhëtojnë me tren deri në orën 21:00 sipas kohës lokale në Iran.
Irani vijon kundërpërgjigjen
Ndërkohë, Irani ka vazhduar me sulme hakmarrëse në disa vende të rajonit.
Arabia Saudite: Ministria e Mbrojtjes njoftoi se ka shkatërruar 18 dronë të lëshuar drejt territorit të saj në orët e fundit. Po ashtu, u mbyll Rruga e Mbretit Fahd, që lidh vendin me Bahreinin, pas kërcënimeve iraniane ndaj Provincës Lindore.
Bahreini: Autoritetet u kërkuan qytetarëve të strehohen në vende të sigurta gjatë natës, ndërsa sirenat e alarmit u aktivizuan.
Emiratet e Bashkuara Arabe: Autoritetet deklaruan se po përpiqen të neutralizojnë raketat dhe dronët iranianë. Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, që nga fillimi i konfliktit janë lëshuar mbi 500 raketa balistike dhe më shumë se 2,200 dronë drejt vendit.
Izraeli: Shërbimet e emergjencës publikuan pamje të dëmeve në pjesën qendrore të vendit nga një raketë balistike iraniane. Ministria e Shëndetësisë raportoi se 133 persona janë dërguar në spital gjatë 24 orëve të fundit.
Iraku: Dy civilë, një burrë dhe një grua, u vranë në Erbil si pasojë e një sulmi me dron të nisur nga Irani, sipas autoriteteve lokale dhe agjencive të lajmeve.











