Kryeministri Edi Rama komentoi gjatë mbledhjes së Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste situatën në aksin Librazhd-Prrenjash, ku një rrëshqitje e tokës ka izoluar juglindjen prej disa ditësh. Rama theksoi se në atë aks po bëhet një nga veprat më të mëdha të infrastrukturës e cila do të jetë një tjetër krenari e kësaj qeverie.
Ai krahasoi situatën me aksin Korçë-Ersekë, ku riparimet u kryen brenda afateve, duke argumentuar se fenomenet e rrëshqitjes së tokës janë çështje gjeologjike dhe ndodhin edhe në vende si Portugalia, Suedia, Italia apo Greqia, jo për shkak të korrupsionit.
Rama: Ka disa ditë që po bëhet nami nga tenxheret për rrëshqitjen në aksin Librazhd-Prrenjash. Edhe tokën e lëviz korrupsioni. Në atë aks po bëhet një nga veprat më të mëdha të infrastrukturës e cila do të jetë një tjetër krenari e kësaj qeverie. Ju kujtohet rrëshqitja e rrugës Korçë-Ersekë? Brenda afatit u mor, u riparua totalisht me fondet e sipërmarrësit. Rruga sot është e shqiptarëve. Ndodhi diçka që nuk duhet të ndodhte, por këto nuk janë gjëra që nuk ndodhin askund por ndodhin vetëm këtu. Janë çështje gjeologjike në Portugali, Suedi, Itali, Greqi. Këtu jo…këtu janë çështje korrupsioni. Të gjithë ata që janë kundër nesh i besojnë këto. E besojnë që një ministre lan makinën 10 mijë euro se pasi i hidhet shkumë i hidhet qumësht dallëndysheje dhe dallëndyshet vriten me pushkë nga ministri tjettër, që me puplat e tyre shet jastëkë. E besojnë që dikush tjetër ka dy anije, dikush tjetër ka…prandaj dhe vetë zorraxhinjtë e lavazheve. Ata të parave të zeza, ngaqë kanë shpëlarë kaq gjatë edhe trutë e tyre duke e përsëritur këtë refren budallallepsen fare kur bëhet numërimi i kutive të numërimit, presin që të dalë fitorja mbi narkoregjimin, dhe i del prap Noc Rroku.










