Italia pësoi një tjetër goditje historike, duke u eliminuar nga Bosnja pas gjuajtjeve të penalltive dhe duke mbetur jashtë Kupës së Botës për të tretin edicion radhazi. Sfida në Zenicë u mbyll 1-1 pas 120 minutash, ndërsa boshnjakët triumfuan 5-2 nga pika e bardhë, në një mbrëmje që u kthye në makth për skuadrën e Gennaro Gattusos.
Azzurrët e nisën mirë ndeshjen dhe kaluan në avantazh në minutën e 13-të me Moise Kean, pas një gabimi të portierit Vasilj dhe një aksioni të shpejtë të ndërtuar nga Barella. Por gjithçka ndryshoi në minutën e 40-të, kur Bastoni u ndëshkua me karton të kuq si lojtari i fundit, duke e lënë Italinë me dhjetë vetë për të gjithë pjesën e dytë. Që nga ai moment, Bosnja mori kontrollin e sfidës dhe e shtyu vazhdimisht Italinë drejt portës së saj.
Presioni i vendasve dha rezultat në minutën e 78-të, kur Tabakovic shfrytëzoi një rrëmujë në zonë dhe barazoi shifrat në 1-1. Më pas ndeshja shkoi në shtesë, ku Italia pati një mundësi të artë me Pio Espositon, por portieri Vasilj bëri një pritje vendimtare. Në fund gjithçka u vendos me penallti, aty ku Italia u shemb plotësisht. Pio Esposito gaboi, Cristante goditi traversën, dhe Bosnja vulosi kualifikimin, duke lënë Italinë jashtë Botërorit edhe një herë tjetër.
Kjo humbje pritet të ndezë debat të madh në futbollin italian, sepse bëhet fjalë për një tjetër dështim të rëndë për një kombëtare që dikur sundonte botën. Gattuso e nisi me shpresë, por fundi solli vetëm zhgënjim, lot dhe një tjetër faqe të errët për Italinë.










