Dragan Stojkoviç (Piksi) u prit në Tiranë si një superyll përpara ndeshjes mes Shqipërisë dhe Serbisë (e shtunë, ora 20:45). Një numër i madh gazetarësh vendas e pritën në konferencën për shtyp, ndërsa trajneri i përfaqësueses sonë iu përgjigj me respekt, madje foli në gjuhën shqipe dhe iu uroi festën e Bajramit të pranishmëve.
Mes gjithë asaj turme, u veçua një njeri nga kohët e Jugosllavisë së madhe, nga koha kur Stojkovic kishte shërbyer në ushtri, në Prishtinë. Kanë kaluar plot 41 vite që atëherë dhe fati bëri që të takohej sërish me Pleurat Himaduna, përkthyesin e konferencës për shtyp të “Piksi”, një ditë para ndeshjes që do të luhet në “Air Albania”.
Përpara se të ulej përballë gazetarëve, “Piksi” u përqafua përzemërsisht me Pleuratin, i befasuar që përkrah tij gjendej pikërisht njeriu me të cilin kishte kryer ushtrinë katër dekada më parë. Kjo u bë edhe arsyeja për të sjellë këtë rrëfim të veçantë për shqiptarët, veçanërisht për shqiptarët, që ndoshta do të jenë të paktë në mbështetje të Serbisë, vetëm për shkak të Stojkovic. Po, po, e lexuat mirë…
Në vitin 1984, Stojkovic kishte shkuar në Prishtinë si futbollist, sapo kishte fituar medaljen e bronztë olimpike në Lojërat e Los Angelos, ndërsa Himaduna punonte si producent televiziv në “TV Prishtina”. Siç tregon ai, trajneri aktual i Serbisë ishte shumë i dashur në Prishtinë, madje kishte disa privilegje nga komandantët e rreptë të kohës.

“U përshëndetëm ngrohtësisht. ‘Piksi’ ishte në ushtri në Prishtinë bashkë me këngëtarin Alen Slavica. Rrinim shpesh bashkë. Isha pikërisht unë, njeriu që ia dha mundësinë Alen të përfaqësonte të ashtuquajturën Kosovë në Eurovizion. Kalonim kohë cilësore me të dhe me prindërit e ‘Piksi’. Ishte krejt logjike që, pas kaq vitesh, të përqafoheshim sërish me dashamirësi, – e nisi rrëfimin Pleurati. – E kujtoj gjithçka, kështu është jeta. Erdhi atëherë si i ri dhe shumë i sjellshëm, prindërit e tij gjithashtu njerëz të mirë. Nuk ishte i habitur që mori thirrje për në ushtri, ashtu ishte koha, ishte normale. Në Prishtinë kishte mbështetje nga eprorët dhe njerëzit që drejtonin gjithçka, prandaj edhe u vendos të qëndronte atje.
‘Piksi’ ishte i njohur, një yll në ngritje. Kishte privilegje, miq, ditë të lira… Të gjithë në ish-Jugosllavi kishim privilegje, edhe gazetarët, mos u habisni. ‘Piksi’ ishte serioz. Qëndruam bashkë për një vit. Rrinim shpesh bashkë, sa herë që na e lejonin angazhimet. Mund të ecte lirshëm nëpër Prishtinë, jo shumë, se kishte disiplinë, por ishte shumë i edukuar.
E shihnin si futbollist të shkëlqyer. Në Shqipëri dinë kaq shumë për sportin tonë sa jam habitur; për futbollin, basketbollin, tenisin e sporte të tjera. Është shumë interesante sa të informuar janë.
Nuk dihet ende si është puna me biletat. Të gjithë ankohen për bileta. Atmosfera është fantastike. Këtu nuk ka Dinamo–Hajduk apo Partizan–Zvezda. Në Shqipëri nuk janë mësuar me atë lloj rivaliteti, të gjithë kanë motiv për kombëtaren. Nuk mendoj fare se do të ketë incidente, gjithçka do të shkojë normalisht.
Është logjike që krijohet ky tension për shkak të klimës së ushqyer në të dyja vendet. Për shkak të disa ngjarjeve ‘pseudo’ që kanë ndodhur… Ajo që duhet ta theksoj është se nuk ka pasur asnjë incident me makina serbe, që kanë ardhur me pushime, apo me kompani që bashkëpunojnë këtu, dhe janë të shumta. Nuk shoh arsye pse duhet të ekzistojë kjo eufori ‘duhet, duhet’…”
Shkruar nga media serbe “Blic”