Ish-prefekti i Vlorës, Flamur Mamaj, është bërë viral në rrjete sociale pasi është fotografuar duke i dhënë ujë në dorën e tij një keci që duket se i ka shpëtuar flakëve të tmerrshme që përfshinë Gramshin.
Mamaj shihet teksa i hedh ujë edhe në trup kafshës e cila duket se ka pësuar lëndime. Gramshi është një ndër zonat më të dëmtuara nga zjarret. Një ditë më parë një 80-vjeçar humbi jetën ndërsa u dogjën disa shtëpi dhe sipërfaqe të mëdha me pyje.
Situata paraqitet problematike gjithashtu edhe në zonën e Delvinës ku janë djegur disa banesa dhe rrezikohen disa të tjera. Zjarrfikësit dhe ekipet e shpëtimit ndodhen në terren në përpjekje të vazhdueshme për të shuar zjarret që po djegin vendin.