Juan Carlos rrëfen tragjedinë që i ndryshoi jetën: “Vëllai im vdiq në duart e babait tonë”
Ish-mbreti i Spanjës, Juan Carlos I, ka ndarë një nga kujtimet më të dhimbshme të jetës së tij, vrasjen aksidentale të vëllait të vogël, Alfonso de Borbón, në vitin 1956.
Ngjarja tragjike ndodhi kur Juan Carlos, atëherë vetëm 18 vjeç, po luante me një pistoletë gjatë një vizite familjare në Estoril të Portugalisë.
Ai kishte menduar se arma ishte e sigurt, pasi kishte hequr karikatorin, por një plumb i mbetur në dhomë u shkrep aksidentalisht dhe goditi Alfonso-n, i cili ndërroi jetë në duart e babait të tyre, Juan de Borbón.
Në librin e tij të ri, “Juan Carlos I d’Espagne: Réconciliation”, monarku e përshkruan ngjarjen si një tragjedi që e ka ndjekur gjithë jetën.
Ai kujton se vëllezërit po luanin pa kuptuar rrezikun, dhe se gjithçka ndodhi në një çast fatal që ndryshoi përgjithmonë jetën e familjes.
Pas incidentit, nëna e tij, Princesha María de las Mercedes, dëgjoi të birin duke njoftuar të atin për ngjarjen e rëndë.
Sipas dëshmive të familjes, mbreti i eksiluar Juan de Borbón mbuloi trupin e Alfonsos me flamurin spanjoll, ndërsa më pas hodhi pistoletën në det, në një gjest simbolik dhimbjeje dhe pendese.
Megjithëse nuk pati hetim gjyqësor zyrtar, rrethanat e vdekjes mbetën të paqarta për dekada, duke ushqyer spekulime se Juan Carlos mund ta kishte qëlluar aksidentalisht vëllain.
Vetë ish-mbreti pranon se ndjenja e fajit dhe hidhërimit e kanë ndjekur gjatë gjithë jetës së tij.
“Humbja e tij më la një boshllëk të madh. Pa vdekjen e tij, jeta ime do të kishte qenë më pak e zymtë, më pak e trishtë,” – rrëfen Juan Carlos.
Sot, pas gati shtatë dekadash, kjo ngjarje mbetet një plagë e hapur në historinë e dinastisë borbonike dhe një episod që ka ndikuar thellë në karakterin dhe jetën personale të ish-mbretit spanjoll.










