Autoritetet iraniane kanë shpallur 40 ditë zie kombëtare pas konfirmimit të vdekjes së Udhëheqësit Suprem, Ayatollah Ali Khamenei. Njoftimi u bë nga televizioni shtetëror iranian, i cili e cilësoi liderin si “martir” dhe bëri të ditur se ceremonia mortore do të organizohet me protokoll të lartë shtetëror dhe fetar.
Sipas deklaratës zyrtare, gjatë periudhës së zisë do të pezullohen aktivitetet festive dhe do të mbahen ceremoni përkujtimore në të gjithë vendin. Institucionet shtetërore pritet të funksionojnë me orar të reduktuar, ndërsa disa ditë janë shpallur pushim zyrtar.
Lajmi për vdekjen e Khameneit vjen në një moment tensioni të lartë në Lindjen e Mesme, pas përshkallëzimit të konfliktit mes Iranit nga njëra anë dhe Shteteve të Bashkuara e Izraelit nga ana tjetër. Vdekja e tij pritet të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në dinamikën politike dhe në balancat e brendshme të pushtetit në Republikën Islamike.
Deri në këto momente, autoritetet iraniane nuk kanë dhënë detaje të plota mbi procesin e tranzicionit të lidershipit, por sipas Kushtetutës së Iranit, Asambleja e Ekspertëve ka kompetencën për të emëruar pasuesin e Udhëheqësit Suprem.
Komuniteti ndërkombëtar po ndjek me vëmendje zhvillimet në Teheran, ndërsa priten reagime zyrtare nga vendet e rajonit dhe fuqitë globale.











