Jinchao Wei, i njohur si Patrick, një ish-marinar i Marinës së Shteteve të Bashkuara, është dënuar me 17 vjet burg për spiunazh në favor të Kinës. Departamenti i Drejtësisë i SHBA-së njoftoi dënimin pas një procesi gjyqësor në një gjykatë federale. Arrestimi i Weit, 25 vjeçar, ndodhi në gusht 2023 në Bazën Detare të San Diegos, ndërsa ai përgatitej për t’u ngjitur në anijen USS Essex, një element strategjik i Flotës së Paqësorit të SHBA-së.
Gjatë gjykimit në gusht 2025, një juri e madhe e shpalli atë fajtor për gjashtë akuza, përfshirë spiunazhin dhe eksportin e paligjshëm të informacioneve teknike lidhur me sistemet e mbrojtjes. Wei kishte shitur informacione të ndjeshme për 12,000 dollarë një oficeri të inteligjencës kineze, duke përfshirë manuale, fotografi, video dhe detaje të sistemeve të armëve dhe aftësive operacionale të anijes.
Zëvendësdrejtori i FBI-së, Roman Rozhavsky, theksoi se Wei kishte tradhtuar besimin e vendosur në të si anëtar i Marinës, duke kaluar informacione të ndjeshme ushtarake. Ai ishte rekrutuar më 14 shkurt 2022 nga një oficer i inteligjencës kineze përmes mediave sociale, duke e quajtur atë “Vëllai i Madh Andy”. Gjatë marrëdhënies së tyre, Wei përdori metoda të sofistikuara për të fshehur aktivitetet e tij, përfshirë shkëmbimin e informacionit përmes aplikacioneve të koduara dhe “dead drops” dixhitale.
Gjykata mori parasysh se Wei ishte i vetëdijshëm për veprimet e tij dhe se kishte shprehur dyshime për identitetin e kontaktit të tij që në fillim. Në deklaratën e tij pas arrestimit, ai e pranoi se kishte kryer spiunazh dhe se ishte në dijeni të pasojave ligjore. Zyrtarët e lartë nga FBI-ja, Departamenti i Drejtësisë dhe Shërbimi i Hetimit Penal Detar (NCIS) kanë theksuar se ky dënim nënvizon seriozitetin e tradhtisë ndaj sigurisë kombëtare dhe përforcon mesazhin se ata që e rrezikojnë atë do të përballen me pasoja të rënda.










