Forcat e policisë së rendit janë përplasur qëllimisht nga një automjet tip “Golf” gjatë një ndjekjeje në bulevardin “Ismail Qemali” në Vlorë.
Sipas informacioneve paraprake, automjeti i policisë ishte vënë në ndjekje të mjetit tip “Golf”, pasi drejtuesi i tij nuk i ishte bindur urdhrit për të ndaluar. Gjatë tentativës për ta ndaluar, drejtuesi i mjetit ka përplasur qëllimisht automjetin e policisë, duke e përmbysur atë.
Si pasojë e përplasjes, kanë mbetur të lënduar dy efektivë policie, të cilët janë transportuar me urgjencë në Spitalin Rajonal të Vlorës për ndihmë mjekësore.
Në aksident është përfshirë edhe një automjet tip “Benz”, fatmirësisht pa persona të lënduar.
Nga të dhënat e deritanishme, mësohet se autori i ngjarjes është një 15-vjeçar, i cili ishte ndjekur nga policia që prej zonës së Çollës. I mituri është shoqëruar në komisariat, ndërsa policia po punon për sqarimin e plotë të rrethanave dhe dokumentimin e ngjarjes.











