Kryetari i Komisionit të Çështjeve Evropiane dhe Politikës së Jashtme, Igli Hasani, gjatë fjalës së tij në seancën e Kuvendit ditën e sotme, ku u diskutua projektrezoluta për shpalljen e Iranit “shtet financues i terrorizmit”, theksoi rëndësinë e kësaj rezolute për sigurinë kombëtare dhe rolin e Shqipërisë në arkitekturën e sigurisë euroatlantike.
Hasani theksoi se rezoluta adreson veprimtarinë e Republikës Islamike të Iranit dhe përdorimin e mjeteve terroriste dhe hibride për realizimin e objektivave të politikës së saj të jashtme, duke kontribuar në tensione ndërkombëtare dhe klimë pasigurie në disa pjesë të botës.
Kryetari i Komisionit rikonfirmoi përkushtimin e Shqipërisë ndaj luftës kundër terrorizmit dhe mbrojtjes së rendit ndërkombëtar bazuar në rregulla.
Hasani: Sot kuvendi po diskuton një rezolutë që lidhet me sigurinë kombëtare të vendit tonë dhe me rolin që Shqipëria ka zgjedhur të luajë në arkitekturën e sigurisë euroatlantike. Rezoluta lidhet me veprimtarinë e Republikës Islamike të Iranit dhe me përdorimin e instrumentave terroriste dhe hibride për realizimin e objektivave të politkës së vet të jashtme. Këto zhvillime kanë qenë në qendër të tensioneve të rëndësishme ndërkombëtare dhe kanë kontribuuar në një klimë pasigurie në disa pjesë të botës. Për Shqipërinë kjo çështje nuk është vetëm një debat gjeopolitik.
Në vitin 2022 institucionet e Shqipërisë u përballën me një sulm të rëndë kibernetik. Një akt i paprecedent ndaj një vendi anëtar të NATO-s. Kjo ngjarje dhe shumë të tjera tregojnë se kërcënimet ndaj sigurisë së shtevete shfaqen edhe nëpërmjet operacioneve kibernetike dhe mjeteve hibride që synojnë të targetojnë institucionet. Rezoluta synon të shprehë qartë qëndrimin e institucioneve të Republikës së Shqipërisë kundër këtyre praktikave dhe të rikonfrimojë përkushtimin e vendit tonë ndaj luftës kundër terrorizmit dhe ndaj mbrojtjes së rendit ndërkombëtar bazuar në rregulla. Ky qëndrim nuk është i drejtuar ndaj popullit iraninan. Rezoluta jonë lidhet vetëm me veprimet e strukturave dhe insitucioneve që përdorin, terrorizmin dhunën dhe presionin ndaj shteteve të tjera si instrumente të politikës së tyre të jashtme.
Opozita nuk ishte e pranishme gjatë seancës së sotme plenare.










