Policia e Durrësit ka shoqëruar në Komisariat shtatë persona lidhur me ngjarjen e ndodhur në orët e para të mëngjesit të kësaj të mërkure, ku mbetën të vdekur dy shtetas, Flori Paluçi dhe Aranit Kurti.
Grupi hetimor është duke i marrë në pyetje me qëllim zbardhjen e plotë të kësaj ngjarje e cila tronditi mëngjesin e ditës së sotme jo vetëm Durrësin, por të gjithë Shqipërinë.
Deri më tani dyshohet se konflikti i cili përfundoi me të vrarë ka ardhur si pasojë e një “kafe”. Para efektivëve të Policisë ka dhënë dëshminë e tij edhe kamerieri i cili ka qenë dhe dëshmitari i kësaj ngjarje. Ai ka treguar se 23-vjeçari Aranit Kurti i ka kërkuar kafe, ndërkohë që ka vijur të insistojë edhe pas përgjigjes së tij ku i kishte thënë që: “e kam mbyllur ekspresin”.
Teksa i riu po vijonte të insistonte ka qenë Paluçi ai i cili është futur që të shuajë sherrin, mirëpo konflikti agravoi deri në përdorimin e armëve të zjarrit.
“Daniel Pepa dhe Araniti kanë ardhur në lokal rreth orës 1-1.30 dhe ka kërkuar kafe. I thashë që s’ka kafe se ekspresi është fikur. Ai më tha se donte kafe patjetër, po i thashë që është fikur e s’bëhet në këtë orë.
Ai u acarua dhe në këtë moment ndërhyri Flori, për të më dalë në krah dhe nisi debati mes tyre. Nga lokali dolën te dera e lokalit dhe Flori Paluçi qëlloi mbi Aranitin, shokun e Danielit dhe Danieli më pas ka marrë armën dhe ka qëlluar mbi Florin duke e lënë të vrarë”, tregon kamerieri.
Kronologjia e ngjarjes, si ndodhi vrasja për një kafe:
Siç raportuam dhe më herët, sherri nisi brenda ambienteve të një lokali në Manëz pak pas mesnatës. Aranit Kurti bashkë me një person tjetër i kërkuan kamarierit që t’i bënte një kafe, por ky i fundit u ka thënë se ekspresi është i fikur. Menjëherë ka nisur debati mes Kurtit dhe kamarierit, ndërkohë Flori Paluçi është futur që të shuajë konfliktin.
Nga hetimet e deritanishme rezulton se pas këtij sherri Paluçi qëlloi me armë zjarri në drejtim të Kurtit, i cili fatkeqësisht humbi jetën. Ndërkohë, Daniel Pepa i cili dyshohet se ishte mik me 23-vjeçarin ka shkuar dhe ka marrë armën në makinën e tij dhe më pas ka qëlluar drejt 33-vjeçarit duke e lënë të vdekur në vend.
“Rreth orës 01:45 të datës 22.10.2025, në Manëz, pranë një karburanti, pas një konflikti dyshohet për motive të dobëta, kanë mbetur të vrarë me armë zjarri shtetasit A. K., 23 vjeç, dhe F. P., 33 vjeç, të dy banues në Manëz.
Nga veprimet e para hetimore të kryera nga grupi i posaçëm hetimor, dyshohet se shtetasi F. P. është vrarë me armë zjarri nga shtetasi D. P., 21 vjeç, banues në Manëz, ndërsa shtetasi A. K. dyshohet se është vrarë nga shtetasi F. P. Shërbimet e Policisë po vijojnë kontrollet intensive për kapjen e shtetasit D. P.
Ndërkohë, një grup i posaçëm hetimor, nën drejtimin e Prokurorit, po vijon punën në vendngjarje për zbardhjen e rrethanave, identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë ngjarje dhe administrimin e çdo prove, me qëllim dokumentimin e plotë ligjor të rastit.”, njoftoi Policia më herët.









