Fjalimi entuziast i anëtarit të Kryesisë së FRPDSH, Orest Berberi çeli fushatën e Partisë Demokratike dhe Aleanca për Shqipërinë Madhështore në sheshin “Nënë Tereza” i cili si asnjëherë më parë ishte mbushur plot.
Në fjalimin e mbajtur në podiumin para liderit të PD-së Sali Berisha dhe strategut të fitores së Donald Trump, Chris LaCivita, Berberi tha se më 12 maj, Shqipëria gdhihet blu — si qielli i lirë dhe si deti pa zinxhirë dhe kishte një mesazh dhe për patronazhistës: Ju nuk e dini se me kë po merreni, prandaj bëni kujdes.
Fjalimi i Oresti Berberit
Mirëmbrëma, o shqiptarë të fjalës së lirë! Mirëmbrëma ju, qëndrestarë dhe qëndrestare të palëkundur, që nuk jeni përkulur kurrë përpara padrejtësisë!
Sonte jemi këtu, të gjithë bashkë, për të nisur rrugën drejt fitores madhështore! Sonte jemi këtu edhe për të falënderuar njëri-tjetrin-për besimin që kemi pasur dhe kemi tek njëri-tjetri!
Jemi këtu sepse askush nuk mund ta shuajë dritën e lirisë që u ndez 34 vite më parë! Ai që dikur u përpoq të na shkatërronte nga themelet, që donte të na fshinte si parti, si histori, si zë…
Dështoi! Ai dështoi sepse Partia Demokratike nuk është thjesht një logo, një seli, një emër-ajo është zemra e shqiptarëve të lirë!
Ajo është forca e njerëzve që nuk u shitën, nuk u përkulën, nuk u dorëzuan! Është forca e rinisë që nuk trembet kurrë. Është frymëzimi i rinisë që nuk shuhet.
Është vendi ku të rinj e të reja luftojnë për bindje dhe ideal! Ne u sulmuam… Ne u goditëm… Por ne u ringritëm! U bashkuam, më të fortë, më të vendosur dhe më të pastër se kurrë më parë! Dhe ja ku jemi sot:
Të parët! Të parët në shpirt! Të parët për njerëzit!Të parët në listë, me numrin 1! Ne jemi njishat. Dhe si të tillë, nuk pyesim kë kemi përballë-do të rrëzojmë çdo hijenë!
Me besim në Zot dhe me dashuri për Atdheun! Më 11 maj ne fitojmë! Jo për veten tonë… Por për të gjithë ata që duan të jetojnë në këtë vend me dinjitet! Dhe më 12 maj…Shqipëria gdhihet blu!
Si qielli që Zoti e krijoi për të qenë i lirë! Si deti që s’njohu kurrë zinxhirë! Prandaj, si të djathtë që jemi, le ta nisim këtë rrugë me këmbën e djathtë-që të na shkojë mbarë! Jo me të majtën-që të mos na shkojë mysybet!
Rroftë Partia Demokratike! Rroftë Rinia e Shqipërisë! Zoti i bekoftë shqiptarët, kudo që janë! Fitorja na përket neve! Fitorja i përket Shqipërisë Madhështore!