Gjykata e Posaçme nuk ka pranuar kërkesën e të burgosurit Fran Marashi, për të dalë nga regjimi 41-Bis, ku është izoluar që prej 13 dhjetorit të vitit 2024.
Përmes një njoftimi, GJKKO bën të ditur se Marashi ka kohë 15 ditë për të bërë ankimim në Apelin e Gjykatës së Posaçme kundër këtij vendimi.
Fran Marashi, i dënuar me burgim të përjetshëm, u izolua atëherë në 41-Biss në Peqin, për një periudhë njëvjeçare.
Marashi është dënuar për vrasjen e 4 punonjësve të policisë, në atë që njihet ndryshe edhe si masakra e Urës Vajgurore ngjarje e ndodhur gjatë trazirave të vitit 1997.
Si ndodhi masakra:
Pas një mitingu të Partisë Socialiste, forcat e policisë ktheheshin në Berat me mjetet e tyre, kur janë qëlluar me armë 150-200 metra larg vilës së Protoduarëve. Autoblinda e policisë ka ulur kapakët dhe është nisur në drejtim të sheshit në qendër të qytetit, por pa bërë 50-60 m rrugë, është goditur nga një predhë antitank nga vila e Protoduarëve.
Dëshmitari okular Lulzim Nexhipi ka thënë se në këtë moment mbi blindin e policisë janë hedhur shishe me lëndë djegëse si dhe është parë Lek Lorja e Fran Marashi që kanë hipur në tank. Pas kësaj janë dëgjuar dy gjuajtje të fuqishme dhe blindi ka marrë zjarr, ku si pasojë kanë gjetur vdekjen duke u djegur brenda në blind policët Miltiadh Koçi, Arjan Shemuni, Asllan Selami dhe Ilia Bano si dhe janë plagosur dy policë Thimi Tanku dhe Ylli Dhamo.
Nga të shtënat u vra edhe një qytetar Ilir Bani, i cili ndodhej në atë moment rastësisht. Sipas prokurorisë, autorë të krimit ishin anëtarët e bandës së drejtuar nga familja Protoduari.
Njoftimi i GJKKO:
- Kërkuesi Fran Marashi me datë 30.01.2026 ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: Kundërshtimin e urdhërit nr. 620, datë 13.12.2024 të Ministrit të Drejtësisë “Për vendosjen në regjim të posaçëm të ushtrimit të të drejtave në burgun e sigurisë së lartë të të burgosurit Fran Marashi”.
- Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtari Erjon Bani, bazuar në nenet 112 dhe 471 pika 5 të Kodit të Procedurës Penale, si dhe vendimet nr. 28, datë 16.12.2008; nr. 11, datë 05.04.2013 dhe nr. 4, datë 23.02.2016 të Gjykatës Kushtetuese, me vendimin nr. 119, datë 20.02.2026, vendosi:
- Papranueshmërinë e kërkesës penale me nr. 119 Regjistri Themeltar, datë 30.01.2026, me Kërkues: Fran Marashi, me objekt: Shfuqizimin e urdhrit nr. 620, datë 13.12.2024 të Ministrit të Drejtësisë “Për vendosjen në regjimin e posaçëm të ushtrimit të të drejtave në burgun e sigurisë së lartë të të burgosurit Fran Marashi” pasi çështja ka mbetur pa objekt.
- Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim, brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve, në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar duke filluar ky afat nga e nesërmja e njoftimit të këtij vendimi.
Tiranë, më datë 20.02.2026
Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.









