Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në fermën e Namik Sinanit në Karbunarë të Vogël, në Lushnje, ku një ujk ka shkaktuar dëme të mëdha.
Sulmi është regjistruar rreth orës 03:30 të mëngjesit dhe ka rezultuar në humbjen e 40 nga 80 kokë dhi e dele, ndërsa pjesa tjetër e bagëtive ka pësuar plagosje.
Namik Sinani, blegtori, fillimisht mendohej se ishin hajdutët që kishin hyrë në vathë, por kur shkoi për të kontrolluar, përballë tij doli ujku që po sulmonte shtazët.
Vëllai dhe bashkëshortja e Sinanit tregojnë se kope të ujqërve janë vënë re në fshat për një kohë të gjatë. Madje, dy javë më parë, u konfirmua se një ujk kishte sulmuar dhe mbytur edhe një kafshë tjetër. Kjo situatë ka krijuar ankth te banorët e zonës, të cilët tani tremben nga rreziku i sulmeve të tilla.
Sipas Sinanit, shumica e bagëtive janë të regjistruara, ndërsa disa janë shtesa të kohëve të fundit. Ai ka kërkuar ndihmë nga shteti për të kompensuar dëmet e shkaktuara nga sulmi.
Banorët e Karbunarës janë gjithashtu të shqetësuar se ujqërit po hyjnë natën në qendrat e banuara, çfarë rrezikon sigurinë e tyre dhe të bagëtive.
Pylli i “Zgjanës”, që ndodhet pranë fshatit, është bërë një strehe për ujqërit, e numri i të cilëve ka pësuar rritje të konsiderueshme në vitet e fundit.
Kjo situatë ngjall shqetësime për sigurinë e jetesës së vendasve dhe thotë se është e nevojshme që autoritetet të ndërmarrin masa për të mbrojtur blegtorët dhe bagëtitë e tyre.