Një gjykatë në Hong Kong ka dënuar ish-manjatin e medias dhe avokatin pro-demokracisë Jimmy Lai me 20 vjet burg, pavarësisht presioneve ndërkombëtare për lirimin e tij. Dënimi, i shpallur të martën, erdhi si rezultat i tre akuzave, përfshirë bashkëpunimin me fuqitë e huaja dhe nxitjen e rebelimit përmes shtypit. Lai, 78 vjeç, themelues i gazetës Apple Daily, e cila është mbyllur, kishte rrezikuar burgim të përjetshëm për shkeljet e ligjit të sigurisë kombëtare të imponuar nga Kina, pas protestave pro-demokraci gjatë vitit 2019.
Në vendimin e gjykatës, gjyqtarët theksuan se Lai kishte “ushqyer armiqësi” ndaj Kinës dhe kishte tentuar të “përmbyste Partinë Komuniste”. Ai është në isolim që nga viti 2020, dhe familja e tij ka shprehur shqetësime për shëndetin e tij. Kryeministri britanik, Keir Starmer, ka ngritur çështjen me liderin kinez Xi Jinping, duke kërkuar për llirin e tij, ndërsa Sekretarja e Jashtme e Britanisë, Yvette Cooper, e ka denoncuar këtë si “persekutim politik”. Edhe Presidenti amerikan Donald Trump kishte shprehur shpresën për lirimin e Lai.
Grupet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut e përshkruan dënimin si një shkelje të rënde të lirisë së shprehjes. Amnesty International e quajti atë “një sulm ndaj lirisë së shprehjes”, ndërsa Human Rights Watch e vlerësoi si një “dënim me vdekje de facto” për shkak të moshës së tij. Reporterët pa Kufij vlerësuan procesin gjyqësor si një vendim që vendos të ardhmen e lirisë së shtypit në Hong Kong. Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve e quajti se ky proces ishte një “farsë”, duke theksuar se Lai nuk kishte bërë asgjë tjetër veçse ushtroi të drejtën e tij për të folur.
Pekini i është përgjigjur kritikave duke argumentuar se rasti i Lai përfshin shkelje të ligjit të sigurisë kombëtare dhe nuk ka të bëjë me lirinë e shprehjes. Megjithatë, dënimi i tij ka theksuar shqetësimet ndërkombëtare për gjendjen e të drejtave të njeriut dhe lirinë e shtypit në Hong Kong.










