Sot, në Komisionin e Ligjeve, Prokurori i Përgjithshëm Olsian Çela kundërshtoi draftin për ndryshimet në Kodin Penal, duke vlerësuar se nuk ka një nevojë të menjëhershme për këtë ndryshim. Ai theksoi se kodi aktual nuk paraqet problematika të mëdha, por kërkon thjesht një risistemim.
Çela u fokusua në problemin thelbësor që sipas tij është Kodi i Procedurës Penale dhe mënyra e zbatimit të tij. Ai nënvizoi se decentralizimi në organizimin e Prokurorisë ka shkaktuar keqkuptime dhe ka vështirësuar punën e prokurorëve. Sipas tij, ky keqkuptim ka krijuar situata kur prokurorët e shkallës së parë ankohen në lidhje me vendimet e Gjykatës së Apelit, madje disa prej tyre i drejtohen edhe ambasadave me kërkesa.
Çela shprehu shqetësim se prokurorët e rinj shpesh nuk e kuptojnë rolin dhe pozicionin e tyre. Ai e cilësoi situatën si problematike, duke theksuar se ka nevojë për përmirësimin e cilësisë së ligjeve që rregullojnë institucionet. Një çështje tjetër që ai përmendi ishte dhe praktika gjyqësore, duke evidentuar se vendimet e Gjykatës së Lartë po dëmtojnë rolin e Prokurorisë së Apelit dhe krijojnë konfuzion në sistemin e drejtësisë.
Prokurori përmendi se, në vitin 2023, numri i çështjeve që ai ka përfaqësuar në Gjykatën e Lartë ka arritur në 38, duke e bërë këtë numrin më të lartë për këtë vit. Ai kritikoi se vendimet e Gjykatës i japin një përparësi prokurorëve të shkallës së parë, duke e anashkaluar autoritetin e Prokurorisë së Apelit. Çela përfundoi duke theksuar se problemet e organizimit dhe interpretimit të legjislacionit aktual kontribuojnë në ngarkesën dhe zvarritjen e procedurave hetimore e gjyqësore, dhe se ndryshimet në Kodin Penal nuk duhet të konsiderohen si emergjente.










