Thierry Henry ka dhënë një koment të veçantë dhe plot humor pas fitores bindëse 3-0 të Real Madrid ndaj Manchester City në ndeshjen e parë të fazës së 1/8-ave të Champions League.
Ish-sulmuesi legjendar francez, gjatë analizës së tij në CBS Sports Golazo, u përpoq të shpjegonte edhe një herë madhështinë e klubit madrilen në Europë, por e bëri këtë në mënyrën e tij karakteristike, me një batutë që tërhoqi menjëherë vëmendje.
“Nuk e di çfarë vendosin ata në atë fanellë… Por ndoshta, nëse e vesh edhe unë, mund të më ndihmojë të më rikthehen flokët”, u shpreh Henry me humor.
Me këtë deklaratë ironike, francezi deshi të nënvizonte atë që shumëkush e konsideron si “magjinë” e Real Madrid në Champions League. Sipas tij, fanella e klubit duket sikur u jep lojtarëve një forcë të veçantë dhe një aftësi të jashtëzakonshme për t’u shfaqur në momentet më të rëndësishme.
Komenti i Henry erdhi pas një tjetër paraqitjeje të madhe të Real Madrid ndaj Manchester City, ndeshje që u mbyll me fitoren 3-0 të skuadrës spanjolle, falë një mbrëmjeje fantastike të Federico Valverde, autor i tre golave.
Edhe pse në formë shakaje, deklarata e Henry pasqyron respektin e madh që futbolli europian vazhdon të ketë për Real Madrid, veçanërisht kur bëhet fjalë për netët e mëdha të Champions League.











