Britania e Madhe po shqyrton forcimin e mëtejshëm të sanksioneve kundër Rusisë, pasi pesë shtete europiane arritën në përfundimin se lideri i opozitës ruse, Alexei Navalny, u vra nga një toksinë vdekjeprurëse në një burg rus.
Ministrja e Jashtme britanike, Yvette Cooper, deklaroi në një intervistë për BBC, gjatë Konferencës së Sigurisë në Mynih, se Londra po shqyrton veprime të koordinuara, përfshirë rritjen e sanksioneve ndaj regjimit rus.
“Vazhdojmë të analizojmë veprime të përbashkëta, përfshirë forcimin e sanksioneve kundër regjimit rus,” u shpreh ajo.
Britania e Madhe, Franca, Gjermania, Holanda dhe Suedia njoftuan se analizat laboratorike të mostrave të marra nga trupi i Navalnyt zbuluan praninë e epibatidinës, një toksinë shumë e rrezikshme që gjendet në lëkurën e disa bretkosave në Amerikën Latine dhe që mund të prodhohet edhe në mënyrë sintetike.
Cooper theksoi për Sky News se regjimi rus ka pasur më parë në zotërim këtë substancë kimike. “Rusia pretendoi se Navalny vdiq nga shkaqe natyrore. Megjithatë, duke pasur parasysh toksicitetin e epibatidinës dhe simptomat e raportuara, është shumë e mundshme që helmimi të ketë qenë shkaku i vdekjes,” thuhet në deklaratën e përbashkët të pesë vendeve.
Sipas tyre, fakti që Navalny vdiq në burg nënkupton se Rusia kishte mjetet, motivin dhe mundësinë për ta administruar helmin. Ministria e Jashtme britanike e konsideroi Moskën përgjegjëse për vdekjen e tij.
Nga ana tjetër, kryeministri britanik Keir Starmer vlerësoi “guximin e Alexei Navalnyt përballë tiranisë”, duke denoncuar në një reagim në rrjetet sociale “qëllimin vrastar të Putinit”.
Moska ka hedhur poshtë raportin e vendeve perëndimore. Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse dhe ambasada ruse në Londër e cilësuan atë të pabazë, ndërsa Kremlini nuk ka dhënë një shpjegim të plotë për vdekjen e Navalnyt, duke deklaruar vetëm se ai u sëmur dhe ndërroi jetë papritur në institucionin korrektues ku mbahej, pak para zgjedhjeve presidenciale në Rusi.








