Eden Hazard ka folur për të ardhmen e Vinicius Junior, duke pranuar se nuk do të habitej nëse braziliani do të vendoste të tërhiqej herët nga futbolli për shkak të presionit të madh që përjeton jashtë fushës.
Ish-lojtari belg, që ka luajtur për katër sezone me Viniciusin te Real Madrid, dha mendimin e tij në një intervistë për transmetuesin publik belg RTBF, ku preku disa tema, mes tyre edhe situatën e sulmuesit brazilian.
Sipas Hazard, pesha psikologjike që Vinicius mban para çdo ndeshjeje është shumë e madhe.
“Ai ka kaq shumë gjëra në mendje para një ndeshjeje, sa ndonjëherë mendoj me vete: i shkreti. E di se çfarë do të kalojë, e di se pothuajse nuk ndodh asgjë sa i përket ndëshkimeve. Duhet të jetë një barrë. Nuk do të habitesha nëse në moshën 30-vjeçare do të thoshte se po largohet, se po e lë futbollin, sepse në fund të fundit asgjë nuk ndryshon”, u shpreh Hazard.
Hazard, i cili u tërhoq nga futbolli profesional në moshën 32-vjeçare, theksoi se Vinicius është shumë i fortë si mendërisht, ashtu edhe fizikisht. Sipas tij, shpesh njerëzit flasin më shumë për atë që ai bën ose për atë që ai përjeton jashtë aspektit sportiv, sesa për atë që jep në fushë.
“Tanihë njerëzit flasin më shumë për atë që ai bën ose vuan, sesa për atë që sjell në fushë. Harrojnë se çfarë lojtari i jashtëzakonshëm është. Kjo duhet ta rëndojë shumë. Nuk është aspak e lehtë të dalësh në fushë dhe të mendosh vetëm për futbollin”, tha ish-ylli belg.
Hazard shtoi gjithashtu se sheh ngjashmëri mes vetes dhe Viniciusit në mënyrën si e jetojnë futbollin.
“Ai është thjesht dikush që e do futbollin, që i pëlqen të luajë dhe që thjesht dëshiron të argëtohet. Pak a shumë si unë kur isha në fushë”, deklaroi ai.
Në fund, Hazard tha se po të kishte mundësi t’i jepte një këshillë Viniciusit, do t’i thoshte të vazhdojë të luajë me stilin e tij, por me më shumë kujdes.
“Do t’i thosha: Ki kujdes. Luaj siç do ti të luash, por bëj kujdes. Njerëzit po të presin, kështu që luaj futboll, argëtohu dhe na lër ne, tifozëve të vërtetë të futbollit, ta shijojmë. Kur kërcen, kërce në një mënyrë që t’u pëlqesh njerëzve. Edhe Ronaldinho kërcente, por nuk mbaj mend gjithë këto polemika”, përfundoi Hazard.











