Kandidati për kryeministër i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka shpërfaqur prioritetin e tij për energjinë elektrike tri ditë përpara zgjedhjeve të parakohshme parlamentare më 28 dhjetor. Në një videoadresim në Facebook, Haradinaj u bëri thirrje qytetarëve të votojnë AAK-në, duke premtuar prodhim të energjisë në vend dhe çmime më të ulëta për konsumatorët.
Haradinaj ka theksuar se, nëse kthehet në pushtet, do të rinisë dy projekte energjetike që ishin ndërprerë pas largimit të tij, njëri nga to me qymyr dhe tjetri me gaz natyror. Sipas tij, situata aktuale e energjisë në Kosovë është e varur nga tregjet ndërkombëtare dhe çmimet e larta të energjisë që ndikojnë negativisht në ekonominë e vendit. Ai apeloi për votim me numrin 129, që simbolizon AAK-në, duke theksuar se kjo do të nënkuptonte rikthimin e prodhimit të energjisë dhe rritjen e mirëqenies për qytetarët.
Haradinaj gjithashtu i bëri thirrje qytetarëve të reflektojnë mbi faturat e energjisë dhe si ato prekin jetesën e tyre. Ai e krahasoi rikthimin e projekteve të energjisë me formimin e ushtrisë, duke e paraqitur AAK-në si një forcë që sjell ndryshime pozitive.
Në një tubim në Rahovec, Haradinaj theksoi se AAK ka një program konkret që përfshin ndërtimin e një termocentral të ri me kapacitet deri në 500 MW dhe krijimin e një rrjeti të gazit. Programi përfshin gjithashtu uljen e TVSH-së mbi energjinë elektrike dhe tarifa të reduktuara për grupe specifike si familjet e dëshmorëve dhe ata me të ardhura të ulta.
AAK, e cila në zgjedhjet e kaluara mori 9% të votave dhe garoi në koalicion me Nismen Socialdemokrate, tani po konkuron si parti e vetme në këto zgjedhje. Qëllimi i Haradinajt është transformimi i Kosovës nga një vend importues energjie në një eksportues, duke ndihmuar kështu në stabilizimin e çmimeve dhe përmirësimin e kushteve jetësore për qytetarët.











