Erling Haaland dhe Rayan Cherki ishin protagonistët kryesorë në fitoren 3-1 të Manchester City ndaj Bournemouth, duke e rikthyer skuadrën e Pep Guardiolës në rrugën e sukseseve pas humbjes së javës së kaluar ndaj Aston Villa.
Cherki, që kishte spikatur edhe në ndeshjen ndaj Swansea, u aktivizua si numri 10 dhe luajti rolin e asistuesit perfekt për sulmuesin norvegjez, duke i shërbyer atij dy gola të pastër.
Ndeshja nisi me emocione, teksa Eli Junior Kroupi realizoi për Bournemouth që në sekondat e para, por goli u anulua për pozicion jashtë loje. Në minutën e 17-të, City gjeti avantazhin: Cherki dërgoi një pasim të mrekullueshëm me kokë pas mbrojtjes kundërshtare, dhe Haaland shënoi pa vështirësi golin e parë të takimit.
Bournemouth barazoi pas një gabimi të Gianluigi Donnarumma-s, i cili gaboi në dalje gjatë një goditjeje këndi, duke i dhënë mundësinë Tyron Adams të dërgonte topin në rrjetë. Protestat e portierit italian për faull u injoruan nga arbitri Anthony Taylor.
City reagoi menjëherë. Cherki, sërish protagonist, i dha një pasim të artë Haaland-it, që shmangu portierin Petrovic dhe realizoi golin e tij të 13-të sezonal në vetëm 10 ndeshje. Norvegjezi mund të kishte shënuar edhe një hat-trick para pushimit, por Petrovic i mohoi golin me një pritje të shkëlqyer.
Në pjesën e dytë, Bournemouth pati disa raste të mira, por Donnarumma u tregua i sigurt këtë herë. Ndërkohë, City vulosi fitoren në minutën e 60-të, pas një aksioni të bukur mes Cherki dhe Foden, që i dha mundësinë të riut Nico O’Reilly të shënonte golin e tretë.
Fitorja ndaj Bournemouth shërben si një reagim i fortë për kampionët në fuqi, ndërsa kombinimi mes Haaland dhe Cherki premton shumë për vazhdimin e sezonit.











