Asqeri Mandri, një 35-vjeçar nga Tirana i cili një vit më parë u vendos në qendër të vëmendjes publike për një ngjarje në zonën e Kodër Kamzës, ku ai akuzohej nga bashkëshortja se e kishte mbyllur në banesë duke ushtruar dhunë dhe e mbikqyrur me kamera, ka folur për herë të parë publikisht pas daljes nga burgu.
Nëpërmjet një interviste për TVA News, Asqeriu i cili tashmë është larguar nga Shqipëria, tregon se kamerat nuk i kishte vendosur për të ruajtur partneren e tij Leonora Mandri, por për të ruajtur banesën në momentet kur personat e familjes do të largoheshin jashtë vendit.
“Pjesa e kamerave ka qenë sepse unë dhe babai ishim emigrantë. Kamerat nëpër dhoma nuk kanë qenë në funksion, kanë qenë në momentin që largohemi nga shtëpia, për të ruajtur banesën jo bashkëshorten,” thotë ai.
Arsyeja përse Asqeriu doli publikisht për të dhënë këtë intervistë, është sepse në momentin që doli nga burgu pas vuajtjes së dënimit, pretendon se bashkëshortja e tij ka marrë 4 fëmijët dhe është larguar jashtë vendit pa asnjë prokurë. Kështu ai shpjegon se ka 6 muaj që nuk flet me të vegjlit e tij.
“Shqetësimi im është se zonja Leonora Mandri, ka marrë 4 fëmijët dhe është larguar nga Shqipëria pa prokurën time.
Para një viti Leonora bëri një denoncim sikur unë e kam dhunuar bashkëshorten, por kjo s’ka qenë e vërtetë. Vetë zonja dyshohet për fëmijë jashtë martese, sepse kur ishte jashtë në Gjermani, më shkruante se tre fëmijë nuk janë të tutë.
Unë e kam kapur me mesazhe që më tradhëtonte, i kam vendosur në dijeni dhe familjarët e saj. Kur dola nga burgu bëra një kallëzim te komisariati nr. 3, që ka marrë fëmijët dhe ka ikur. Shteti duhet të bëjë diçka për këtë pjesë”, shprehet Mandri.
35-vjeçari thotë se nuk vjen dot në Shqipëri pasi i rrezikohet jeta nga persona të panjohur, por ka dëshirë që personat që ndihmuan bashkëshorten e tij të largojë fëmijët jashtë vendit pa prokurë, të dalin para përgjegjësisë.
“Kush i ka bërë kalimet e 4 fëmijëve dhe zonjës të dalin para përgjegjësisë. Kam gjashtë muaj që nuk flas me fëmijët. Fola me Leonorën, më tha jam në Francë. E pyeta si ike pa prokurë, më tha i falsifikova letrat.
Unë i drejtohem institucioneve të shtetit për këtë pjesë:
Janë vjedhur fëmijët, pa një prokurorë të prindit kjo është jashtë çdo norme.
Zonja dyshohet për fëmijë jashtë martese. Unë kam frikë të vij në Shqipëri se më rrezikohet jeta, sepse kam marrë kërcënime nëpërmjet rrjeteve sociale,” thotë ai.
Asqeriu kërkon që të bëjë dhe ADN-në e fëmijëve, për të zbuluar nëse pretendimet e Leonorës se tre fëmijë nuk i ka me të janë të vërteta apo jo.
“Unë kërkoj të takohem me fëmijët dhe t’i bëj analizat, a janë fëmijët e mij vërtetë, sepse zonja më ka shkruar në WhatsApp që fëmijët nuk janë të tutë. Kam ngelur peng i asaj zonjës sepse kam divorcin në Shqipëri për të bërë me të”, shprehet ai.
Një vit më parë historia e çiftit nga Tirana bëri bujë në mbarë opinionin publik, pasi bashkëshortja e akuzonte se ishte shumë xheloz. Madje sipas saj, ai e dhunonte dhe e mbante të mbyllur në banesë nën mbikëqyrjen e rreptë të kamerave të sigurisë.