Një shpërthim i dyshuar i gripit të shpendëve ka vënë në alarm autoritetet në Spanjë, pasi 400 lejlekë janë gjetur të ngordhur në rajonin e Madridit.
Sipas mediave të huaja, autoritetet lokale kanë nisur testimet laboratorike për të përcaktuar ashpërsinë e virusit, ndërsa dyshohet për një variant të patogjenitetit të lartë, që mund të përhapet me shpejtësi mes shpendëve të egër dhe atyre të fermave.
“Rajoni i Madridit po kryen teste të mëtejshme pasi një numër i madh lejlekësh të ngordhur u gjetën në brigjet e lumit Manzanares”, thuhet në deklaratën zyrtare të autoriteteve.
Sipas raportimeve, vetëm pak ditë më parë ishte konstatuar një shpërthim i gripit të shpendëve me patogjenitet të ulët, por pas gjetjes masive të shpendëve të ngordhur, po dyshohet për një mutacion më agresiv.
Në pritje të rezultateve, autoritetet kanë vendosur të forcojnë masat parandaluese, duke përfshirë:
ndalimin e mbarështimit të përbashkët të rosave e patave me specie të tjera,
kufizimin e vizitave në fermat e shpendëve, dhe monitorimin e burimeve të ujit për të shmangur kontaminimin.
Ekspertët shpjegojnë se ky virus mund të transmetohet te njerëzit përmes kontaktit me mukozat, me simptoma të ngjashme me gripin sezonal, megjithatë nuk është vërtetuar ndonjë transmetim të drejtpërdrejtë në Evropë.
Po ashtu, produktet e shpendëve të gatuara mbeten të sigurta për konsum.
Sipas të dhënave evropiane, gjatë këtij sezoni janë regjistruar mbi 200 raste të gripit të shpendëve në ferma, një numër më i lartë se në vitet e fundit, por ende larg kulmit të vitit 2022, kur miliona zogj u asgjësuan për shkak të shpërthimit masiv të sëmundjes.
Autoritetet spanjolle theksojnë se monitorimi do të vazhdojë pa ndërprerje për të shmangur përhapjen e mundshme të virusit në fermat komerciale të vendit.










