Policia spanjolle ka shkatërruar një grup të strukturuar shqiptarësh që dyshohet se kryenin grabitje në vila luksoze në provincën e Malagas. Operacioni i koduar “Marrëzi” përfundoi me arrestimin e pesë personave dhe vënien nën hetim të 11 të tjerëve.
Grupi dyshohet se kishte në shënjestër persona me pasuri të lartë, të cilët i ndiqte për të zbuluar adresat e banesave dhe momentin e përshtatshëm për të goditur. Sipas autoriteteve, hajdutët përdornin maska dhe paruke lateksi për të fshehur identitetin gjatë hyrjes në shtëpi.
Gjatë kontrolleve në disa banesa në Marbella dhe Mijas, policia sekuestroi armë zjarri, municione, automjete luksoze të vjedhura dhe targa të falsifikuara. Po ashtu u gjetën dhe sende të tjera që përdoren për kryerjen e grabitjeve.
Në pranga ranë pesë shqiptarë të dyshuar si pjesë e grupit, ndërsa policia rikuperoi orë të markave të shtrenjta, 39 mijë euro para në dorë, dhe mallra të vlerësuara në rreth 80 mijë euro, të cilat u kthyen tek pronarët.











