Policia e Vlorës ka shpallur në kërkim tre persona të cilët ditën e djeshme dhunuan dhe vranë 63-vjeçarin Ismail Aliaj.
Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 15:00, në rrugën “Gjergj Arianiti”, lagjja “Pavarësia 3”.
Sipas policisë, shtetasit A. C., 31 vjeç, Xh. N., 34 vjeç, banues në Vlorë, dhe E. H., 23 vjeç, banues në Gjorëm të cilët janë shpallur në kërkim, dyshohet se gjatë një konflikti për motive të dobëta, kanë goditur me grushte shtetasin B. A., 24 vjeç, dhe babain e tij, Ismail Aliaj, 63 vjeç, banues në Vlorë.
Si pasojë e goditjeve, në pjesën e fytyrës dhe të qafës, 63-vjeçari humbi jetën.
Policia njofton se po punon intensivisht për kapjen e autorëve dhe dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë Vlorë për veprën penale “Vrasja me dashje”, e kryer në bashkëpunim.











