Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar vendimet e Gjykatës së Posaçme dhe të Gjykatës së Lartë, duke i dhënë të drejtë gazetarit të Ora Neës, Elton Qyno, në padinë e tij kundër sekuestrimit të pajisjeve elektronike dhe të dhënave kompjuterike nga SPAK, në kuadër të një hetimi për rrjedhje të sekretit hetimor.
Në vendimin e shpallur më 22 prill, Gjykata Kushtetuese konstaton se ndërhyrja në pajisjet elektronike të gazetarit përbënte cenim të lirisë së shprehjes, të garantuar nga neni 22 i Kushtetutës dhe neni 10 i Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Sipas gjykatës, sekuestrimi nuk ishte proporcional dhe gjykatat më të ulëta nuk kishin argumentuar pse ishte e domosdoshme identifikimi i burimit të informacionit, si mjet i fundit hetimor, duke shpërfillur alternativa më pak ndërhyrëse.
“E drejta e gazetarit për të ruajtur burimin e informacionit dhe për të mos e zbuluar atë është një nga kushtet e lirisë së medias. Mbrojtja e burimeve të gazetarëve është një prej garancive kryesore të lirisë së medias, si pjesë e lirisë kushtetuese të shprehjes, ndaj urdhërimi i gazetarit për të zbuluar burimet e tij mund të jetë në kundërshtim me Kushtetutën, përveçse kur ekziston një bazë e qartë ligjore që e autorizon atë dhe një interes publik mbizotërues që e dikton atë”, arsyeton Gjykata Kushtetuese.
Gjykata nënvizon se e drejta e gazetarit për të mos zbuluar burimet nuk është privilegj personal, por një garanci themelore për lirinë e medias dhe të drejtën e publikut për t’u informuar.
Bazuar në këto konstatime, Gjykata Kushtetuese ka vendosur njëzëri shfuqizimin e vendimeve gjyqësore që lejuan sekuestrimin dhe ka pranuar kërkesën për asgjësimin e të gjitha të dhënave të sekuestruara.
Ky vendim vendos një precedent të rëndësishëm në mbrojtje të gazetarëve dhe pavarësisë së medias në Shqipëri, në një kohë kur rastet e presionit institucional ndaj reporterëve janë në rritje.