Shorti i Kupës së Botës 2026 do të zhvillohet këtë të premte në Uashington D.C., duke nisur nga ora 18:00, dhe do të prezantojë një format historik për turneun.
Për herë të parë, numri i përfaqësueseve pjesëmarrëse rritet nga 32 në 48, duke u dhënë më shumë vendeve mundësinë të konkurrojnë në eventin më të madh të futbollit botëror.
Botërori i 2026-s do të organizohet në Shtetet e Bashkuara, Kanada dhe Meksikë, dhe do të zgjasë nga 11 qershor deri më 19 korrik.
Ky edicion sjell ndryshime të rëndësishme edhe në strukturën e turneut. Formati i ri do të përfshijë 12 grupe me nga katër ekipe secili, në krahasim me tetë grupet tradicionale të edicioneve të mëparshme.
Nga faza e grupeve do të kualifikohen 32 skuadra: dy të parat e çdo grupi, si edhe tetë ekipet më të mira të vendeve të treta. Ky sistem synon të rrisë rivalitetin dhe gjasat për surpriza.
Një risi tjetër është rregulli i “çifteve favoritë”, i cili parashikon që fituesit e grupeve të mos ndeshen me njëri-tjetrin në raundin e parë të fazës me eliminim direkt. Qëllimi është shmangia e dueleve të forta që në fillim, duke shtuar pritshmëritë dhe intensitetin e fazës finale.
FIFA ka njoftuar se orari zyrtar i ndeshjeve do të publikohet të shtunën, në një aktivitet të veçantë, pak përpara shortit.
Ky proces pritet me interes të madh nga ekipet dhe tifozët, të cilët mezi presin të zbulojnë përbërjen e grupeve dhe përballjet që do të formësojnë edicionin më të madh të Kupës së Botës deri më sot.










