Mbrëmjen e kaluar, gjashtë familje janë evakuuar nga zona e Katundit të Ri në Durrës si pasojë e përmbytjeve të shkaktuara nga reshjet intensive dhe rritja e prurjeve të lumit Erzen.
Sipas burimeve nga emergjencat civile, familjet fillimisht refuzuan të largoheshin nga banesat e tyre, pavarësisht përmbytjeve. Evakuimi u krye vetëm pasi situata u përkeqësua dhe rreziku për jetën e banorëve u rrit ndjeshëm.
Autoritetet bëjnë me dije se evakuimi u realizua si masë parandaluese për të garantuar sigurinë e familjeve të prekura dhe për të shmangur pasoja më të rënda.
Aktualisht, situata në qytetin e Durrësit dhe në lagjet periferike raportohet në përmirësim. Megjithatë, prania e ujit mbetet problematike në disa zona, përfshirë Katundin e Ri dhe Sukthin.
Vështirësi të mëdha paraqiten në aksin rrugor “Kthesa e Perlatit” Sukth–Hammallaj, ku uji ka mbuluar segmente të rrugës, duke penguar qarkullimin normal të mjeteve. Autoritetet vijojnë monitorimin e situatës dhe u bëjnë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes.











