Genard Hajdini, personazhi i njohur në rrjetet sociale por dhe në televizion ku angazhohet herë pas here, është dhunuar nga një person në zonën e “Rrugës Bardhyl”. Edhe babai i tij, Paqësori, është dhunuar po nga i njëjti person dhe të dy kanë përfunduar në spitalin e Traumës.
Siç ka treguar vetë Genardi, ngjarja ka ndodhur rreth orës 01:00 të mëngjesit të ditës së diel, datë 3 Gusht, kur një person emrin e të cilit ai nuk e ka treguar por ka bërë kallëzim në Policinë e Tiranës, e ka qëlluar me grusht në ambientet e Bar “Oslo”.
Ky person është konfliktuar fillimisht me babain e tij, Paqësorin, i cili më pas ka njoftuar djalin. Sipas asaj që ka rrëfyer Genardi nga shtrati i spitalit, kur ai ka mbërritur në vendin ku po konfliktohej babai i tij, personi i dhunshëm e ka qëlluar dhe atë me grushte.
Për pasojë, ai ka marrë dëmtime në hundë, në sy dhe në vesh. Genard Hajdini thotë se edhe babai i tij ka marrë lëndime trupore dhe të dy kanë qëndruar në ambientet e Spitalit të Traumës.