Detaje të reja janë zbardhur lidhur me arratisjen e bujshme të Altin Ndocit nga Spitali Rajonal i Durrësit, një ngjarje që ka vënë në alarm institucionet e sigurisë. Gazetari Igli Çelmeta, duke raportuar në një emision televiziv, bëri të ditur se arratisja ishte e mirëorganizuar dhe e ndihmuar nga jashtë.
Sipas tij, Altin Ndoci është një emër i njohur për policinë që prej vitit 2015, fillimisht si grabitës automjetesh në zonën e Elbasanit, automjete që dyshohet se përdoreshin për ngjarje të rënda kriminale. Në vitin 2020 ai u arrestua për vrasjen e dy vëllezërve Haxhia në Durrës, por më pas u shpall i pafajshëm. Aktualisht mbahej në paraburgim për vrasjen e Andi Zylyfit dhe plagosjen e Ardit Uruçit, në kuadër të dosjes “Plumbi i Artë”, mbi bazën e dëshmisë së të penduarit të drejtësisë, Nuredin Dumani.
Arratisja ndodhi gjatë shoqërimit të tij për ndihmë mjekësore në spital. Çelmeta shpjegoi se Ndoci kishte probleme me veshkat dhe, pasi u ankua për gjendje të rënduar shëndetësore, kërkoi të shkonte në tualet. Në momentin që dera u hap, ai goditi dy punonjësit e sigurisë dhe u largua me vrap brenda ambienteve të spitalit. Një prej efektivëve qëlloi me armë zjarri, por pa rezultat.
Ndoci zbriti nga kati i tretë në këmbë, kaloi parkingun dhe u largua me një automjet tip “Audi A7”, që dyshohet se e priste jashtë. Sipas gazetarit, ka indicie për përfshirjen e më shumë se një mjeti dhe për përdorimin e telefonit celular brenda burgut për koordinimin e arratisjes.
Ngjarja ka nxjerrë në pah shkelje të rënda protokollare, pasi policia e Durrësit nuk ishte njoftuar për shoqërimin e një personi me rrezikshmëri të lartë. Pas arratisjes, është pezulluar i gjithë zinxhiri komandues i burgut të Durrësit, ndërsa hetimet janë në vijim për përgjegjësi penale.










