Sipas Gazzetta dello Sport, Gennaro Gattuso është shumë pranë largimit nga stoli i Italisë, madje mund të japë dorëheqjen edhe përpara se të pritet një vendim zyrtar nga Këshilli Federal. Pas eliminimit dramatik dhe një tjetër dështimi të madh për kombëtaren, presioni mbi trajnerin është rritur ndjeshëm, ndërsa e ardhmja e tij duket më e pasigurt se kurrë.
Megjithatë, problemi i Italisë nuk lidhet vetëm me Gattuson. Sipas raportimit, vështirësitë e kombëtares janë të hershme dhe të thella, ndërsa trajneri rrezikon të paguajë çmimin e një krize që ka kohë që vazhdon. Humbja e besimit, frika në lojë dhe mungesa e reagimit në momentet vendimtare janë parë si shenja të një problemi më të madh se vetë pankina.
Gattuso, i njohur për karakterin e tij të drejtpërdrejtë dhe të sinqertë, nuk pritet t’u shmanget përgjegjësive. Ai mund të reflektojë me familjen dhe njerëzit e tij më të afërt, mes tyre edhe Gigi Buffon, i cili e ka mbështetur fort. Ideja që vetë trajneri të bëjë një hap pas nuk përjashtohet, sidomos nëse mendon se federata nuk e konsideron më njeriun e duhur për të vazhduar këtë mision.
Në analizën e bërë pas dështimit, theksohet se Italisë i duhet jo vetëm një emër në stol, por një ndryshim i plotë në mentalitet dhe qasje. Kombëtarja nuk mund të vazhdojë të tërhiqet pas çdo avantazhi minimal dhe të luajë me frikë në ndeshje kaq vendimtare. Për këtë arsye, edhe nëse Gattuso largohet, pyetja e madhe mbetet e njëjta: a mjafton ndërrimi i trajnerit për të shpëtuar Italinë nga një krizë që po thellohet gjithnjë e më shumë?










