Një çift nga Florida, Tiffany Scor dhe Steven Mills, kanë ngritur padi ndaj klinikës së fertilitetit IVF Life, pasi zbuluan se foshnja e tyre e sapolindur nuk ka lidhje biologjike me ta. Pas një procedure IVF të kryer pesë vite më parë, çifti përjetoi gëzim të madh kur mësuan se prisnin një vajzë, të cilën e sollën në jetë në dhjetor të vitit të kaluar.
Dyshimet nisën kur vunë re se pamja e foshnjës nuk përputhej me prejardhjen e tyre etnike. Testet gjenetike që pasuan konfirmuan frikën më të madhe të çiftit: fëmija nuk ishte biologjikisht i tyre.
Sipas padisë, çifti kërkoi shpjegime nga klinika, por u përball me mungesë bashkëpunimi. Avokati i tyre, Jack Scarola, theksoi se, megjithëse janë të lidhur thellësisht emocionalisht me foshnjën, ata jetojnë me frikën se ajo mund të jetë fëmija i dikujt tjetër. “Në çdo moment, dikush mund të shfaqet dhe ta kërkojë,” u shpreh ai.
Në padinë e depozituar më 22 janar, Tiffany Scor dhe Steven Mills kërkojnë që IVF Life të njoftojë të gjithë pacientët që kanë pasur embrione të ruajtura në këtë klinikë dhe të mbulojë shpenzimet e testeve gjenetike për fëmijët e lindur në pesë vitet e fundit. Ata kërkojnë gjithashtu që klinika të mbajë përgjegjësi të plotë për menaxhimin e embrioneve të mbetura.
Çifti thekson se dëshira e tyre kryesore është ta rrisin vajzën me sigurinë se ajo nuk do t’u merret, ndërsa njëkohësisht ndiejnë një detyrim moral për të informuar prindërit biologjikë të fëmijës.
Nga ana tjetër, IVF Life dhe drejtori i saj, Dr. Milton McNichol, kanë deklaruar se po bashkëpunojnë me hetimet për të identifikuar burimin e gabimit.
Megjithatë, një deklaratë zyrtare e klinikës është tërhequr pas një seance dëgjimore, ku gjyqtari kërkoi paraqitjen e një plani konkret për menaxhimin e situatës.
Sipas burimeve, inspektimet e mëparshme në klinikë kanë evidentuar shkelje të mundshme të protokolleve të sigurisë, duke e bërë çështjen edhe më të rëndë dhe komplekse.
Ndërsa procesi ligjor vijon, çifti shpreson në një zgjidhje që do të garantojë të ardhmen dhe stabilitetin e vajzës që ata e konsiderojnë fëmijën e tyre.











