Pas dëmtimeve të shumta në aksin Librazhd-Prrenjas dhe izolimit të juglindjes së vendit, një situatë e ngjashme është regjistruar edhe në fshatin Algjinaj, në Njësinë Administrative Shezë, bashkia Peqin.
Lëvizja e tokës dhe fundosja e dheut kanë krijuar çarje të thella në një segment me gjatësi të konsiderueshme, duke deformuar sipërfaqen dhe duke rrezikuar aktualisht shembjen e tre banesave, si edhe dëmtimin e infrastrukturës përreth.
Sipas banorëve, situata është përkeqësuar pasditen e së dielës, kur një pjesë e rrugës rurale është bërë e pakalueshme për automjetet. Ky aks përdoret çdo ditë për lidhjen e fshatit me zonat përreth, ndërsa bllokimi i tij ka sjellë vështirësi të menjëhershme në qarkullim dhe në aksesin drejt shërbimeve bazë.
Çarje dhe zhvendosje të tokës janë konstatuar edhe pranë tre banesave, duke rritur shqetësimin për sigurinë e familjeve. Banorët kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme nga institucionet përkatëse për vlerësimin e rrezikut dhe marrjen e masave stabilizuese, me qëllim shmangien e përshkallëzimit të situatës.











