Drejtoria e Antikontrabandës ka bllokuar një mjet të ngarkuar me rreth 1.5 ton çokollata, i cili kishte kaluar në degën doganore të Kapshticës pa kryer deklarimin doganor dhe pa pasur dokumentacionin përkatës për produktin.
Sipas autoriteteve, gjatë kontrollit të ushtruar ndaj mjetit u konstatua se malli përbëhej nga 566 kuti me çokollata, me një peshë totale rreth 1.500 kilogramë, të cilat dyshohet se do të hidheshin në tregun e lirë pa procedurat e nevojshme ligjore.
Strukturat e Antikontrabandës ndërhynë menjëherë duke bllokuar mallin dhe duke nisur verifikimet përkatëse për rastin. Autoritetet po vijojnë procedurat për të zbardhur plotësisht rrethanat e këtij rasti dhe për të marrë masat ligjore ndaj personave përgjegjës.












